Pensionimi i detyruar, Zeqiri: Krijohet hapësirë për kuadro të reja, nuk duhet të vlej për shëndetësinë dhe arsimin

Shpërndaje

Pensionimi i detyrueshëm i punonjësve në moshën 64 vjeçe do të lehtësojë stërngarkimin e institucioneve me kuadër të vjetëruar. Kështu shprehet eksperti ekonomik, profesori universitar, Izet Zeqiri në një prononcim për TVM2.

Përmes këtij vendimi , që hyn në fuqi vitin e ardhshëm , lirohen institucionet nga 10 mijë persona deri në 64 vjeç dhe në këtë mënyrë krijohet hapësirë për punësimin e kuadrove të reja, sqaron ai.

“Qeveria dëshiron të eliminojë në të ardhmen angazhimin e punonjësve mbi 64 vjeç të cilët aktualisht janë të angazhuar në shumë sektorë. Por ajo ka për qëllim që të mos u jep mundësinë edhe 10 mijë punëtorëve të ardhshëm të cilët janë në prag të 64 vjeçve të zgjedhin nëse do të pensionohen apo të vazhdojnë punën. Administrata është e stërngakuar me të punësuar dhe në administratë nuk ka nevojë t’u jepet mundësi të punës për personat mbi 64 vjeç pasi ka shumë profile të cilat mund të zëvendësohen. Të rinjtë kanë eksperience të mjaftueshme që mund të zëvendësojnë në ato punët që janë më specifike dhe kështu t’u hapet mundësi edhe për punësimin e gjeneratave të reja”, u shpreh eksperti politik Izet Zeqiri.

Shëndetësia dhe arsimi i lartë janë drejtime deficitiare në vend, andaj Zeqiri thekson se në asnjë mënyrë nuk duhet të mendohet që këto ndryshime të vlejnë për këto drejtime.

“Droja është se shfuqizimi i pensionomit të vonuar do i le spitalet pa mjekë profesionist dhe universitetet pa profesor, nëse këto dy kategori të profesioneve nuk përjashtohen me ligjin. Prandaj uroj që në zgjidhjen ligjore të përfshihen këto dy kategori pasi shteti ka nevojë që në këto profesione të angazhoj edhe mbi 64 vjeç”, theksoi Zeqiri.

Sipas Zeqirit, masa do të rifreskonte strukturën e të punësuarve prej 56-64 vjeç në sektorin publik, ku shifrat flasin se kjo kategori e të punësuarve, përbën 22.3 përqind të numrit aktual.