Preu dorën me sharrë për t’i marrë 1 milion euro nga sigurimi, por e pëson keq (Foto)

Shpërndaje

22 vjeçarja Julija Adlesic nga Ljubljana, hartoi planin makabër bashkë me të dashurin e saj për të prerë dorën e majtë sipër kyçit dhe më pas ta linte në shtëpi kur shkuan në spital për ndihmë, në mënyrë që të mos mund të rivendoset më me kirurgji.

Adlesic u shpall fajtore për mashtrim me sigurimet dhe u dënua me tre vjet burgim. Prokurorët zbuluan se para se të sharronte dorën e saj ajo kishte nënshkruar me pesë kompani të ndryshme sigurimesh.

Adlesic priste të mblidhte më shumë se 1 milionë euro, gjysmë të paguara menjëherë dhe pjesën tjetër në këste mujore.

Disa ditë para incidentit në fillim të 2019, hetimet e policisë zbuluan se partneri i Adlesic, Sebastien Abramov, kishte kërkuar në internet për dorë artificiale, çka u përdor si provë se gjymtimi ishte pjesë e mashtrimit të sigurimeve.

Pasi preu dorën e saj Adlesic u dërgua në spital nga i dashuri dhe babai i tij, duke thënë se ishte lënduar duke prerë degë.

Autoritetet thanë se ajo qëllimisht kishte lënë dorën e prerë në shtëpi për të siguruar që lëndimi të ishte i përhershëm dhe të merrte shpërblimet masive.

Por plani i tyre u prish kur policia rekuperoi dorën e prerë dhe kirurgët ia rivendosën në vend.

Gruaja protestonte pafajësinë e saj duke thënë se nuk do të kishte prerë kurrë dorën me dashje.

Por gjykatësja Marjeta Dvornik tha: “Ne besojmë se dënimi është i drejtë dhe i përshtatshëm, dhe do të kryejë qëllimin e tij.” I dashuri i saj Abramov u dënua me tre vjet burg kurse babai i tij me një vit burg të pezulluar.