Sela ofron dorëheqje, bashkëpartiakët refuzojnë dorëheqjen e tij

Shpërndaje

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela në Kuvendin Qendror ka ofruar dorëheqjen në mbledhjen e Kuvendit qendror, por shumica refuzoi dhe vendosën që ai edhe më tej ta udhëheq këtë parti opozitare në bllokun shqiptar. Nga partia zyrtarisht janë larguar kryetarët e degëve në Tetovë dhe Dollnen.

Sipas Selës, largimi i tyre vjen pasi ata para zgjedhjeve kanë paralajmëruar bashkëpunim me partinë “Besa”, ndërsa me veprimet e tyre ashpër kanë shkelur statutin partiak.

Kuvendi qendror i partisë në mbledhje diskutoi në gjashtë pika, por me propozim të liderit ishte vendosur edhe një pikë e cila kishte të bëjë me shkarkimin e tij. Me shumicë votash, dorëheqja u refuzua, me çka Selës i vazhdohet mandati i kryetarit të partisë.

Pas pauzës së mbledhjes e cila mbahet në sallën sportive “Rinia” në Gostivar, Sela ka shpjeguar vendimet dhe dorëheqjen e ofruar si dhe largimin e disa anëtarëve nga radhët e tyre.

Për dorëheqjen e ofruar ai tha se është akt moral pas rezultatit zgjedhor, por vendimi është i udhëheqësisë së lartë.

Në pyetjen e lidhur me situatën aktuale në vend dhe shumicën e re parlamentare, Sela u përgjigj se nuk është e vërtetë se atë që e pohon lideri i LSDM-së, Zoran Zaev se ka marrë mbështetje edhe nga tre deputetë të opozitës.

“Nuk ka mundësi, as edhe teorike, ata janë deputetë të partisë sonë dhe nuk besoj se ata janë disa nga VMRO-DPMNE”, ka thënë Sela.

Organet e partisë në mbledhje kanë shqyrtuar raportin e Shtabit qendror zgjedhor të partisë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik. Në fund të mbledhjes, Kuvendi qendror do ta analizojë situatën aktuale politike dhe do të sjell kahe të përgjithshme për veprim të mëtejmë.