Të punësuarit e NPK Tetova në protestë, 7 muaj pa sigurim shëndetësor

Shpërndaje

Rreth 60 punëtorë të “Higjienës Komunale” pranë Ndërmarrjes Publike Komunale “NPK Tetovë”, sot kanë dalur në protesta për të shprehur pakënaqësi për mospagimin e kontributeve për sigurim shëndetësor dhe pensional.

Ata kërkojnë intervenimin e institucioneve shëndetësore, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Gjashtë muaj nuk kemi sigurim dhe kërkojmë të na paguhen në kohë. Pagat na i vonojnë një muaj, por më shumë problemi kemi me sigurimet. Unë kam probleme me zemrën, duhet të pi ilaçe dhe në vend që të paguaj 300 denar, paguaj 2500 denarë, pasi nuk kam sigurim shëndetësor”, tha një punëtor nga fshati Kopanc.

Sipas udhëheqësve të NPK “Tetova”, pakënaqësi kanë shprehur vetëm një pjesë e punëtorëve, ndërsa thonë se protestat janë të paarsyeshme pasi sigurim shëndetësor dhe pensional nuk ka për asnjë punëtorë prej gjithsej 300 të punësuarve.

“Ndërmarrja punon me humbje për shkak të pandemisë, për gjashtë muaj. NPK ballafaqohet me humbje prej 26 milionë denarëve, ndërsa arsye janë llogaritë e papaguara nga ana e qytetarëve. Tani kjo duhet të korrigjohet me rebalancin e buxhetit të Komunës, me zgjidhje urgjente. Për kontributet, në muaj duhen 8 milionë denarë. Punojmë me fondin shëndetësor që ilaçet të merren nga punëtorët, por duhet të presim për emërimin e drejtorit të ri”, deklaroi drejtori i ndërmarrjes Xhelal Ceka.

Punëtorët thanë se si të punësuar me të ardhura minimale, nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti gjatë periudhës së pandemisë.