Tërheqja e anijes, ministri turk i Mbrojtjes: Nuk kemi hequr dorë nga Mesdheu, 18 ishujt u armatosën nga Greqia

Shpërndaje

Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar tha të dielën se kthimi i anijes kërkimore sizmike “Oruc Reis” pranë brigjeve jugore të vendit nuk do të thotë që Ankaraja ka hequr dorë nga të drejtat e saj në Mesdheun lindor.

Duke folur për agjencinë shtetërore të lajmeve Anadolu, Akar tha se kthimi i anijes ishte pjesë e operacioneve të saj të planifikuara.

“18 ishujt janë të armatosur nga Greqia në shkelje të marrëveshjeve. Këto po përshkallëzojnë tensionin, duke shkatërruar dialogun e ndërsjellë,” tha Ministri Akar.

Akar deklaroi se Greqia duhet patjetër të lërë mënjanë sjelljet e saj që çojnë në rritjen e tensionit, dhe përshkallëzimit si pasojë e provokimeve.

“Ne jemi për dialog. Ne duam që problemet tona këtu të arrijnë zgjidhje politike përmes metodave paqësore,” tha Akar.

Oruc Reis u kthye në ujërat pranë krahinës jugore të Antalias të Dielën, treguan të dhënat e Refinitiv, një lëvizje që Greqia tha se ishte një hap i parë pozitiv në lehtësimin e tensioneve mbi burimet natyrore në det të hapur.