Trump në takimin Hoti-Vuçiç / Pritet sot nënshkrimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë

Shpërndaje

Presidenti amerikan, Donald Trump, takohet sot me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçic, në një ceremoni nënshkrimi me ta, si edhe në një takim trepalësh.

Duke cituar një njoftim të Shtëpisë së Bardhë, Zëri i Amerikës thotë se nuk është e qartë se çfarë do të përmbajë marrëveshja. Thuhet se njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë njëra nga pikat në takimin Hoti-Vucic. Hoti, që takimin e së enjtes në Uashington e cilësoi si historik, tha se të enjten u bë përparim ekonomik dhe shtoi se të premten pritet të prezantohet marrëveshja për temat ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Vucic ndërkohe përmendi dhe projektet politike.

“Çështjet me të rëndësishme për ne ishin ato ekonomike. Kishte disa vështirësi politike, por mendoj dhe shpresoj që ato i kemi kapërcyer. Po qe se më pyesni mua nëse Serbia do të pranoje njohjen e ndërsjelle me Kosovën në disa projekt-propozime, kjo nuk do të funksionojë për Serbinë”, u shpreh ai.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha se në bazë të informacioneve që posedon nga bisedimet Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë, presidenti serb e ka hedhur poshtë “pikën dhjetë të marrëveshjes, e cila parashikon njohjen e pavarësisë së Kosovës”.

Vetë Grenell e la të kuptohej se në takim është diskutuar më shumë sesa për ekonomi. “ Mendoj që nuk ka bisedime, që nuk kanë ndonjë befasi, të cilat janë gjithmonë të mira. Po, ne kemi shfaqur disa befasi, por mendoj që asnjëra palë nuk ishte aq e befasuar . Ndonjëherë shtiren para mediave se kjo është befasi më e madhe se që është. Të dyja palët janë njoftuar dhe mendoj që kemi realizuar përparim dhe shpresoj për zgjidhje”, theksoi ai./Top Channel