Dita e tretë e debatit për ribalancin e buxhetit

Shpërndaje

Edhe sot vazhduan replikat dhe kundër replikat në mes deputetëve të opozitës dhe pushtetit. Deputeti nga radhët e BDI-së, Berat Ajdari tha se propozimi për ribalancin e buxhetit ka shumë elemente që ndihmojnë ekonominë e vendit dhe qytetarët, e në mesin e tyre ndihmon edhe studentët dhe nxënësit.

“Për studentët, masë shtesë është mbështetja financiare me 325 milionë denarë për mbështetjen e standardit të studentëve, për akomodimin e tyre nëpër konvikte ose hapësira private me qëllim që të parandalohet përhapja e Covid-19. Në ndërkohë janë ndarë edhe fonde për konvikte dhe paralelisht për përmirësimin e objekteve shkollore janë ndarë mjete me vlerë prej 44 milion denarë për mbështetjen e standardit të nxënësve”, tha Berat Ajdari – deputet i BDI-së.

Por për këtë nuk pajtohet deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe.

“Mendoj se këtu ka një keqkuptim z. Berat, për shkak se në sferën e arsimit sa e kam parë unë buxhetin kemi ulje, në arsimin e lartë për 3.98 % si dhe në arsim parashkollorë dhe fillorë me 20.83%. Kjo është kontradiktore me atë që thatë ju në këtë foltore dhe kontradiktore me angazhimet e Qeverisë se do të siguroje kushte të barabarta për mësim”, u shpreh Halil Snopçe – deputet i ASH-së.

E nga ana tjetër deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski tha se që kur ka filluar debati për buxhetin, deputetët e LSDM-së nuk e kanë kaluar asnjë ditë pa lexuar kumtesat partiake për atë se sa të mira janë masat e propozuara.

“Këtu jeni zgjedhur që t’i shërbeni popullit e jo të lexoni kumtesat partiake. Duhet ta shohim realitetin ashtu siç është e jo ashtu siç e shohin ata me syza rozë. 3 pakot e para të masave ekonomike jo që nuk dhanë efektet e dëshiruara por të njëjtat e përkeqësuan gjendjen. Për atë janë shfrytëzuar vetëm 54 % e mjeteve prandaj ekonomia është ashtu siç është”, potencoi Bojan Stojanoski nga VMRO-DPMNE.

E pa kundër replikë nuk e la as deputetja e LSDM-së, Zhaklina Llazarovska, e cila i sugjeroi deputeti të DPMNE-së, të lexojnë analizën mbi ribalancin e buxhetit.

“Ky ishte një shembull tipik i një “nxënësi të urtë” i cili mbrëmë kishte të njëjtin press dhe tani flet për atë se dikush neve na ka shkruar çfarë të lexojmë e çfarë të themi. Koleg i nderuar ne lexojmë atë që na është dorëzuar nga rebalansi i buxhetit 2020 dhe besoni se edhe ju e keni marrë këtë. Kjo është analizë e cila është bërë në zyrat e Kuvendit. Asnjëherë nuk jam person naiv që të lexoj diçka që dikush tjetër ma ka shkruar”, theksoi Zhaklina Llazarovska nga LSDM.

Debati për rebalancin sipas rregullores mund të zgjat më së shumti pesë ditë. Pas miratimit të tij, do të fillojë të realizohen masat nga pakoja e katërt e paraparë për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor, ndërsa vlera e pakos është 470 milionë euro.