Grubi-Koja: Mbetemi të përkushtuar në zbatimin e reformave

Shpërndaje

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, z.Artan Grubi sot realizoi takim pune me shefin e Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadorin z.Klemens Koja. Grubi dhe Koja gjatë takimit kanë këmbyer mendime rreth prioriteteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut si vend anëtare e NATO-së dhe angazhimin e Qeverisë gjatë mandatit katër vjeçar, përkatësisht vazhdimin e implementimit të prioriteteve të përbashkëta, anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Zëvendëskryeministri i parë z.Artan Grubi me këtë rast i ka thënë ambasadorit Koja se mirëpret gatishmërinë e OSBE-së që të ndihmojë institucionet e Maqedonisë së Veriut në realizimin e reformave. Bashkëbiseduesit, z. Grubi dhe z.Koja biseduan edhe rreth temës së regjistrimit të popullsisë në Maqedoni të Veriut, proces për të cilin vlerësuan se duhet të realizohet me sukses gjatë vitit të ardhshëm me përkrahjen e të gjithëve.

Zëvendëskryeministri i parë z.Grubi para ambasadorit Koja ka thënë se Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive do të jetë një ministri përgjegjëse e cila do të kontribuojë në kohezionin shoqëror dhe që do të jetë shtëpi e të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ai siguroi z.Koja, se në rolin e tij si koordinator i politikave të resoreve do të punojë për kohezion brenda koalicionit qeveritar dhe do të kryej koordinimin dhe rrjedhshmërinë e proceseve dhe zbatimin e programit.

Grubi vlerësoi lartë rolin e OSBE-së në të gjitha proceset demokratike në Maqedoni të Veriut, kontributin e këtij misioni, ndërkohë nga ana e tij shefi i Misionit të OSBE-së, z.Klemens Koja i ka premtuar Grubit se OSBE do të vazhdojë të bashkëpunojë me Qeverinë në zbatimin e proceseve reformuese.