Grubi tregon se çka do të ndodh me administratorët që rrinë në shtëpi pa punë

Shpërndaje

Nuk ka mënyrë ligjore se si të largohen nga puna administratorët e ashtuquajtur të punësuar sipas Marrëveshjes së Ohrit, edhe nëse refuzojnë që të punojnë në ndonjë institucion. Këtë e ka thënë zv/kryeministri Artan Grubi, njofton Portalb.mk.

“Për fat të keq, nuk ka mundësi ligjore që të realizohet kjo. Në disa prej institucioneve vetë të punësuarit nuk duan të shkojnë, në disa tjera raste, institucionet nuk i pranojnë pasi do të preferonin punësime të reja. Për atë edhe paralajmërova ligj ndoshta të veçantë, special vetëm për këtë kategori, me çka do të ishte obligative, edhe institucioni edhe i punësuari ta pranojnë shpërndarjen”, thotë Grubi.

Grubi paraprakisht deklaroi se nuk pret që ky proces të mbarojë deri në fund të këtij viti.

Sistemimi i 1.688 administratorëve të punësuar me Marrëveshjen e Ohrit, të cilët prej vitit 2008-të, në mungesë të ofertës së shtetit për punë kanë marrë rrogë duke qëndruar në shtëpi, filloi gjatë mandatit të qeverisë paraprake, por u la në gjysmë. Në vend që partnerët qeveritar ta kryenin këtë sistemin në mandatin e parë, të njëjtit e kanë futur në marrëveshje koalicioni edhe në mandatin e dytë, ndërkaq sistematizimi nuk pritet të ndodh deri në fund të këtij viti.

Qeveria, në mandatin e kaluar, kishte bërë plan për sistematizimin e 1.688 administratorëve të cilët rrinin në shtëpi e merrnin rroga. Sipas planit, administratorët duhej që të sistematizoheshin nëpër vende të punës në dy faza.

Ministri i atëhershëm i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, më 30 gusht 2018-të njoftoi se 752 prej 958 administratorëve, të përfshirë në fazën e parë të sistematizimit, kanë nënshkruar kontratat dhe kanë nisur me punë, ndërkaq 206-të të tjerë janë vendosur në listë të transferimit.

Paralelisht me sistematizimin e 958 administratorëve nëpër institucione përkatëse, Qeveria më 3 maj të vitit 2018-të, na tha se në Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit po punohet për përgatitjen e planit për sistematizimin e 730-të administratorëve tjerë.

“Në Sekretariat punohet në përgatitjen e planit të fazës së dytë të personave që kanë mbetur pa sistematizuar. Ajo është ende në fazën fillestare. Sipas procedurës, Sekretariati me institucionet tjera përkatëse e bëjnë planin, i njëjti vjen dhe miratohet në Qeveri dhe fillohet të realizohet edhe ajo. Njëkohësisht merren parasysh të gjitha kriteret dhe të gjitha kushtet – arsimimi, përgatitje e tyre profesionale, vendi nga janë etj.”, thanë nga Qeveria, duke mos caktuar afat se kur pritet që e njëjta të ndodhë.