Gucati në Gjykatë – u kërkua lirimi i tij me kusht, prokurori nuk pranoi

Shpërndaje

Në Dhomat e Specializuara në Hagë filloi seanca gjyqësore e kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, që u arrestua më 25 shtator, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara.

Ai akuzohet për pengim të drejtësisë “frikësim të dëshmitarëve”, “hakmarrje” dhe “shkelje të fshehtësisë së procedurës”. Gucatit nga gjykatësi i vetëm në procedurë iu lexuan të drejtat ligjore që i takojnë gjatë kohës që është në parabu*rgim.

Pala mbrojtëse njoftoi gjykatësin se klienti i tij ka kundërshtuar ligjshmërinë e arrestimit dhe ka kërkuar nga prokuroria të bëjë parashtrim me shkrim për dëshmitë.
Avokati gjithashtu kërkoi lirim me kusht, duke u bazuar në gjendjen shëndetësore të Gucatit. U ofrua edhe një garanci prej 5 mijë eurove dhe kontroll të Eulexit në banesën ku do të jetojë gjatë kësaj kohe.

“Është e drejtë që gjykata në këto rrethana kur kemi kundërshtime që janë parashtruar lidhur me ligjshmërinë e arrestimit dhe nuk janë trajtuar ende, por edhe gjendja e tij shëndetësore të mendohet mundësia e lirimit me kusht.”,- deklaroi avokati mbrojtës, Xhonatan Eliston Ris.

Zyra e prokurorit të specializuar vlerëson se nëse Gucati lirohet me kusht, ai do të vazhdojë me të njëjtat vepra penale. Kërkuan ndërkohë nga OVL-UÇK të mos i bëjë publike dokumentet sekrete.

“Ai ka ndërmarrë veprime duke njoftuar qëllimisht le të themi përbërjen e dosjeve. Zoti Gucati i ka bërë deklaratat e tilla deri në ditën e arrestimit dhe si rezultat ekziston le të themi rreziku i përsëritjes ose orvatjeve për të kryer përsëri veprat penale dhe kjo përsëritje dhe kjo tendencë është ndaluar vetëm përmes arrestimit të z. Gucatit.”,- tha prokurorja, Valeria Boliç.

Gjykatësi tha se do të shqyrtohet kërkesa për lirim me kusht dhe kërkoi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, që aktakuza dhe procesi të jetë i shpejt dhe i drejtë. Prokurori u zotua se në afat prej 30 ditëve do të dorëzojë aktakuzën.