Konjufca: Hoti të jap dorëheqje, t’ia lëshoj rrugën popullit që të vendosë

Shpërndaje

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti me dorëheqjen e tij tani do t’i ndihmonte më së shumti vendit, duke shtuar se do të lirohej rruga që populli edhe njëherë të vendoste për Qeverinë.

Konjufca këtë e tha gjatë konferencës për medie, ku foli edhe për të zgjedhjet e 6 tetorit 2019, ku LVV kishte dalë e para në këto zgjedhje.

Ai tha se në botën demokratike vullneti i lirë i popullit nuk mund të vidhet.

“Avdullah Hoti mendoj se e ka një shanc të shkëlqyeshme me i ndihmu popullit të Kosovës. Me dhanë dorëheqje, me ia lëshu rrugën popullit me vendos. Në botën demokratike, vullneti i lirë që shprehet në zgjedhje nuk mundet me u vjedh. Në çdo vend demokratik të botës, kur prishet partneriteti, verdikti i kthehet popullit. Jo me manipulime me ndërtu një Qeveri tjetër e ata që e kanë zhvatur popullin, me i qit në pozitë. Kërkesa jonë është e qartë e është edhe i qytetarëve, kërkesa jonë është që t’i jepen një mundësi edhe njëherë popullit që të vendos. Populli i mundësoi ndryshimet por politikanet e papërgjegjshëm i pamundësuan ato”, tha Konjufca, raporton Telegrafi.

Po ashtu gjatë konferencës, ai foli edhe për emërimin e Enis Qerkës në pozitën e këshilltarit të ministrit të Drejtësisë.

Ai tha se emërimet e tilla tregojnë që për personat që kanë probleme me drejtësinë nuk është problem të marrin pozita në Qeverinë Hoti.

“Si rezultat i keqqeverisjes së Qeverisë Hoti, është kthimi prapa i vendimeve të Qeverisë Kurti, i vendimeve të mira, si ato të bordeve. Ku tash po vazhdojnë kompromise të një pas njëshme të Avdullah Hotit me PDK, me AAK-në e Nismën, dhe njerëz të tillë duke filluar prej komandant Ftyrës, e deri te ky i fundit i hetuari dhe i dyshuari për bartjen e 113 kilogram drogë, që emërohet këshilltar i ministrit, dhe tërhiqet pas presionit të opinionit publik, të gjitha këto tregojnë që njerëz me vepra penale, që kanë probleme të mëdha me drejtësinë nuk është problem të marrin pozita publike në Qeverinë Hoti. Ky është një dallim shumë i madh mes Qeverisë Hoti dhe Qeverisë Kurti”, tha Konjufca.