Lajçak, nesër në Kosovë

Shpërndaje

Nga Qeveria e Kosovës e konfirmuan lajmin për Radion Evropa e Lirë, por nuk u dhanë detaje rreth agjendës së diplomatit. Lajçak, në ditët në vijim, pritet të vizitojë edhe Beogradin për, siç u tha në Bruksel, “zhbllokimin e çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Kosova ka thënë se nuk dëshiron ta hapë më çështjen e këtij Asociacioni, por Serbia insiston që të bisedohet për të. Formimi i tij është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi.

Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka përsëritur në disa raste se çështja e Asociacionit është një temë tashmë e mbyllur./REL