Maqedoni e Veriut, muzikantët protestojnë kundër masave qeveritare

Shpërndaje

Muzikantët dhe pronarët e kafeneve dhe objekteve hotelerike kanë mbajtur sot protestë para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për shkak të masave kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19) që ndalojnë shfaqjet e muzikantëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Organizatori i protestës, Daniell Sidoski tha se ky sektor është shumë i prekur nga një situatë që zgjat shumë, duke theksuar se nga masat e fundit janë prekur rreth 20 mijë punëtorë të angazhuar gjatë dasmeve, përfshirë edhe muzikantët.

“Ne nuk shpërndajmë virus, ne jemi thjesht mukantë që respektojnë protokollet. Ka institucione ku duhet të drejtohen ata, t’i sigurojnë të gjithë ata njerëz që duhet t’i dënojnë ata që nuk e respektojnë ligjin”, tha Sidoski.

Ai gjithashtu tha se Qeverisë së Maqedonisë së Veriut i kanë parashtruar disa kërkesa me protokolle, por të njëjtat janë refuzuar. Sidoski paralajmëroi se nëse në afat prej dy ditëve nuk pranohen në takim me kërkesat e parashtruara, të dielën do të organizojnë protestë më masive.

Përfaqësuesi i restoranteve të dasmave, Ekrem Memishi, rikujtoi se objektet e ngashme në rajon kanë funksionuar gjatë verës dhe vazhdojnë të punojnë me protokolle të caktuara, duke kërkuar që e njëjta të vlejë edhe në Maqedoninë e Veriut.

“Kërkojmë për ne të ekzistojnë rregullativa dhe masa të veçanta me miratimin e protokollit dhe mundësisë së rihapjes. Theksojmë se nuk kërkojmë të përfitojmë në këtë situatë të vështirë për të gjithë, përkundrazi kërkojmë të na ndihmoni që të mbijetojmë si operatorë ekonomik”, theksoi Memishi.

Ai gjithashtu tha se ndihma financiare që kanë marrë nga Qeveria nuk është e mjaftueshme dhe nuk i mbulon as shpenzimet elementare mujore.

Protestuesit para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut sollën edhe tavolina dhe karrike, duke improvizuar me një klub nate të mbyllur, ndërsa vendosën edhe binë ku në shenjë proteste lëshohej muzikë.

Kujtojmë se pas rritjes së numrit të rasteve të reja, qeveria të dielën pranoi masat e Komisionit për sëmundje infektive, duke ndaluar mbrëmjet muzikore dhe duke kufizuar numrin e mysafirëve në objektet hotelerike.

Sipas masave të reja qeveritare, në objektet hotelerike që shërbejnë pije dhe ushqim, përfshirë në pjesën e restorantit, nuk do të lejohen këngëtarët, grupet muzikore apo DJ, ndërsa niveli maksimal i muzikës do të jetë i kufizuar në 55 decibel.

Sipas të dhënave të fundit, numri i përgjithshëm i personave të infektuar me koronavirus në Maqedoninë e Veriut ka shkuar në 19.413, prej të cilëve 15.749 pacientë janë shëruar dhe 772 kanë vdekur.

Foti: Abdula Berisha / AA