Mijëra sirianë rikthehen në qytetin e çliruar nga Turqia

Shpërndaje

Një vit më parë, kur Turqia nisi Operacionin “Burimi i Paqes” për të eleminuar organizatat terroriste që kërcënonin sigurinë e saj, mijëra familje në Tal Abyad u desh të iknin në Turqi dhe në zonat e kontrolluara nga ushtria opozitare.

Më 9 tetor të vitit 2019 Turqia nisi Operacionin “Burimi i Paqes” për të eleminuar terroristët e YPG/PKK-së nga veriut i Sirisë në lindje të lumit Eufrat, për të siguruar kufijtë e saj, për të ndihmuar në kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe për të siguruar integritetin territorial të Sirisë.

Sirianët të cilët kishin ikur nga grupet terroriste që okupuan atdheun e tyre, duke u shpërngulur në Turqi dhe zonat e kontrolluara nga rebelët sirianë në veri të Sirisë, vazhdojnë të kthehen në qytetin e pastruar nga terroristët nga Operacioni i “Burimi i Paqes”.

Përderisa jeta kthehet në normalitet në Tal Abyad pasi u çlirua nga terroristët një vit më parë, përpjekjet për mirëmbajtje dhe restaurim vazhdojnë në qytetin në veri të Sirisë. Si rezultat, kthimi i banorëve të qytetit ka fituar impuls shtesë.

Mahmoud Khalaf Abu Ukba, një nga banorët e kthyer, për Anadolu Agency (AA) tha se në vitin 2014, atij iu desh të arratisej nga organizata terroriste DEASH për të kërkuar strehim në qytetin Azaz, të kontrolluar nga rebelët sirianë.

“Unë jetova në Azaz për 5 vjet. Falë operacionit të Ushtrisë Kombëtare Siriane (SNA) të mbështetur nga Turqia, ne rifituam tokat tona. Ne jemi të lumtur që jemi përsëri në shtëpi”, theksoi ai.

Abu Ukba gjithashtu tha se furnizimi me ujë dhe energji elektrike u rikthyer dhe situata e përgjithshme e qytetit është përmirësuar.

Ahmad Hafyan, një tjetër banor i qytetit që u kthye nga Jarabulus pas çlirimit, shprehu mirënjohjen e tij për Turqinë për mbështetjen e ofruar për kthimit në tokat e tyre.

Ai gjithashtu tha që terroristët e YPG/PKK-së shkatërruan shtëpitë e tyre kur mësuan se vëllezërit e tij u bashkuan me SNA-në dhe morën pjesë në Operacionin “Burimi i Paqes”.

“Unë pata një goditje nga trishtimi kur pashë shtëpinë time të shkatërruar. Madje po kaloj një kohë të vështirë teksa flas. Do të doja që Turqia dhe njerëzit bamirës të ndihmojnë në rindërtimin e shtëpisë time”, tha ai.

“Deri më tani, 5.000 civilë u kthyen në rajon. Ne presim që ky numër do të rritet shkaku i përmirësimit të shërbimeve në qytet”, shtoi Vail Hamdo, kreu i këshillit lokal në Tal Abyad.

Tal Abyad u çlirua nga terroristët e YPG/PKK-së më 13 tetor 2019 gjatë operacionit antiterrorist të Forcave të Armatosura Turke dhe Ushtrisë Kombëtare Siriane.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e renditur si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e gati 40.000 njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega e PKK-së në Siri.