Ndarja e drejtorive, këtë javë mbyllet marrëveshja

Shpërndaje

Partitë e koalicionit qeveritar, LSDM, BDl, BESA, PDSH dhe partitë e tjera këtë javë pritet të përmbyllin marrëveshjen rreth ndarjes së drejtorive, agjencive dhe institucioneve të tjera të eshalonit të dytë.

Siç bëhet e ditur, gjatë dy ditëve të fundit pritet të finalizohet marrëveshja dhe të bëhet ndarja, pas mosmarrëveshjeve dhe zvarritjeve me taktizime, që kanë përdorur partitë politike.

Megjithatë mbetet ende e pa definuar se kush çfarë vendi do të zërë dhe si do të ndahen postet mes partnerëve të koalicionit.

TV21 merr vesh se ndër ndërmarrjet më të diskutueshme është “Rrugët shtetërore”, e cila iu premtua BDl-së, por LSDM-ja po e ka të vështirë të heq dorë nga kjo ndërmarrje, aq më tepër kur u mësua se Bashkimi Evropian do të ndajë 1 miliardë euro për infrastrukturë, tregojnë burimet tona.

Jemi në përfundim e sipër të bisedimeve për marrjen e përgjegjësisë dhe përcaktimet kadrovike. Besoj në ditët në vijim do të ndajmë përgjegjësitë dhe personat e duhur do të fillojnë zbatimin e përcaktimeve programore qeveritare, ndërsa nuk ka ndonjë ndryshim në ndarjen fillestare paraprake të përgjegjësive”, tha Artan Grubi nga BDl.

Sipas TV21 nga burim jozyrtare, pritet që drejtor i Ndërmarrjes “Rrugë Shtetërore” të jetë Ejup Rustemi, drejtor aktual në “Postën e Maqedonisë”. Në MEPSO pritet të emërohet Kushtrim Ramadani, në Fondit shëndetësor Faton Ahmeti, në Agjencinë për Kominikime Elektorinike Jeton Akiki, në agjencinë e barërave “Malmed” Lirim Shabani, ndërsa në M-NAV janë propozuar dy emra, Migjen Selmanin dhe Fahredin Hamidin.

Drejtoritë që përfliten se do të drejtohen nga LSDM janë ajo e Doganave ku pritet të jetë Goran Sugarevski, në Fondin Shëndetësor Muhamed Zekiri, Hekurudhat-infrastruktura Hari Llokvenec, në DAP Sanja Llukarevska ndërsa tek Elektranat Vasko Kovaçevski.

E panjohur mbetet se me cilat drejtori do të udhëheqë Lëvizja Besa. Burime nga kjo parti shkurt për TV21 thonë se “Besa do të ketë drejtori që asnjëherë nuk janë udhëhequr nga shqiptarët”.