Qeveria dhe bankat heshtin për ndihmën e re të paralajmëruar nga shteti

Shpërndaje

Ligji për mbështetje financiare për kategoritë e rrezikuara ende nuk është gati, ndërsa nga ai dhe rishikimi i buxhetit varet fillimi i realizimit të pakos së katërt të masave.

Qytetarët janë në pasiguri ndërsa autoritetet nuk zbulojnë ndonjë detaj nga propozim-teksti. Alsat kërkoi përgjigje nga bankat dhe Qeveria, nëse do të bëhen kartela të reja, kush do t’i shpërndajë ato, në kurriz të kujt do të jenë kartelat dhe nëse do të ketë fare kartela të reja ose fondet e qytetarëve a do të transferohen në llogaritë e tyre të transaksionit. Nga Qeveria dhe Bankat morëm përgjigje sipërfaqësore.

Qeveria: “Në vazhdim e sipër është procedura për sjelljen e Ligjit për Mbështetje Financiare të Kategorive të Rrezikuara, i cili së shpejti do të hyjë në procedurë ligjore, për çka publiku do të informohet në kohën e duhur.”

Lidhja e Bankave të Maqedonisë: “Ju informojmë se nuk jemi në gjendje t’u përgjigjemi pyetjeve tuaja sepse nuk kemi të dhëna zyrtare”.

Vlerësimi fillestar i qeverisë është se rreth 280,000 persona do të marrin kartela pagesore.

“Sipas planit, mbi 180 mijë pensionistë pensionet e të cilëve nuk i kalojnë 15 mijë denarë në muaj duhet të marrin kartela pagesore prej gjashtë mijë denarësh. Pastaj, tetëdhjetë e pesë mijë punëkërkues pasivë, respektivisht persona të papunë që nuk kërkojnë punë. Kartela do të marrin edhe më shumë se 5,000 prindër të vetëm, si dhe 500 artistë dhe punonjës të industrisë së filmit.”

E gjithë pakoja e katërt e masave, sipas parashikimeve të Qeverisë, do të kushtojë 470 milion euro. Kategori të tjera të përfshira nga masat janë punonjësit që punojnë në ndërmarrjet e prekura nga pandemia. Ata do të marrin pagë minimale prej 14,500 denarë nga shteti për muajin tetor, nëntor dhe dhjetor. Për kompanitë janë paraparë kredi për të cilat biznesmenët nuk duhet të kthejnë normë interesi.