Stoltenberg paralajmëron ndihmë shtesë për Maqedoninë e Veriut në luftën kundër COVID-19

Shpërndaje

Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një konferencë të përbashkët për media të mbajtur në Bruksel me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, paralajmëroi ndihmë shtesë për vendin në luftën kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën për media, Stoltenberg u shpreh se në kohë të vështira, aleatët janë të rëndësishëm më shumë se kurrë, duke paralajmëruar ndihma shtesë për Maqedoninë e Veriut në përballimin e situatës së krijuar nga COVID-19.

“Aleatët siguruan materiale mjekësore dhe ndihmë financiare për të lehtësuar barrën e sistemit tuaj shëndetësor dhe për të shpëtuar jetë. Sot mund të shpall se Maqedonia e Veriut do të fitojë pako me ndihma nga rezervat e reja të NATO-s, 60 respiratorë dhe pajisje tjetër që nevojitet urgjentisht në vlerë prej rreth 1,4 milionë euro”, tha Stoltenberg.

Ai më tej theksoi se kjo është një mbështetje shtesë prej asaj që tashmë e fituar Maqedonia e Veriut, duke shtuar: “Ky është solidariteti i NATO-s në vepër”.

Stoltenberg gjithashtu tha se ekipet e reja të NATO-s kundër kërcënimeve hibride janë të gatshme t’u ndihmojnë aleatëve, duke shtuar se NATO nuk do të lejojë që kriza shëndetësore të shndërrohet në krizë të sigurisë.

Nga ana tjetër, kryeministri Zaev theksoi se kjo është vizita e tij e parë jashtë vendit pas rizgjedhjes së tij në krye të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ndërsa shprehi falënderime për ndihmën që NATO e ofron për vendin.

“Maqedonia e Veriut tërësisht u është përkushtuar obligimeve të saj si anëtare e re e NATO-s. Edhe përkundër sfidave ekonomike shkaku i pandemisë, vazhdojmë të jemi të përkushtuar të rrisim buxhetin tonë të mbrojtjes për 0,2 për qind në vit dhe deri më 2024 të arrijmë deri në 2 për qind nga PBB”, tha Zaev.

Ai gjithashtu paralajmëroi se trupat e Maqedonisë së Veriut do të vazhdojnë të jenë pjesë e misioneve të NATO-së nëpër botë, duke shtuar se anëtarësimi i vendit në NATO sjell dobi për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Kryeministri Zaev udhëheq delegacionin qeveritar nga Maqedonia e Veriut, ku bëjnë pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, dhe ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, të cilët qëndrojnë për vizitë në selinë e NATO-s, ku është paraparë të mbahet edhe një takim pune me kreun e NATO-s, Jens Stoltenberg.