Zaev: Raste të caktuara gjyqësore do të rihetohen!

Shpërndaje

Qeveria do të mbështesë krijimin e komisioneve hetimore ose fillimin e mbështetjes ndërkombëtare dhe monitorimin e rasteve të caktuara gjyqësore që kanë krijuar mosbesim dhe tensione ndëretnike. Ndërkohë, personat të cilat deri më tani kanë pasur probleme me shtetësinë – së shpejti do t’u rregullohet statusi… deklaroi në intervistë ekskluzive për gazetën KOHA, kryeministri Zoran Zaev. Ai në intervistë flet edhe për reformat në shërbimin e sigurisë, gjyqësor, për ballafaqimin me krizën shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga Covid-19… Mes tjerash, mohon të ketë dallime konceptuale me BDl-në, pasi siç shprehet kryeministri, që së bashku e kanë hartuar Programin qeveritar.

KOHA: Z. Zaev, që nga fillimi i mandatit, disa ndryshime konceptuale janë të dukshme midis jush dhe partnerit tuaj të koalicionit – BDl. Një nga këto dallime ka të bëjë me decentralizimin fiskal, ndërsa një me propozimin e BDl-së për stimulimin shtetëror për ndërmarrjet private që do të punësojnë shqiptarë ose pjesëtarë të grupeve të tjera etnike. Si do t’i zgjidhni këto dallime?

ZAEV: Në Program shkruan se Qeveria do të inkurajojë veprime afirmuese për kategori të ndryshme qytetarësh, por kjo nuk devijon nga parimi ynë i mbështetjes së punësimeve të reja, si dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Këto përcaktime burojnë nga Programi ekonomik i Qeverisë, i cili është i barabartë për të gjithë. Çdo kompani, në varësi të masës për të cilën aplikon, do të marrë mbështetje, ngase kjo është një nga prioritetet tona. Një mbështetje e tillë nuk bën asnjë ndryshim në përkatësinë etnike të pronarëve të kompanive ose kandidatëve për punësim. Nuk është në përputhje me Kushtetutën, e cila përcakton se e drejta për të punësuar dhe qasje në punë është e barabartë për çdo qytetarë të vendit tonë. Nga ana tjetër, si Qeveri që siguron zhvillim të barabartë dhe të ekuilibruar të të gjitha rajoneve, nën veprimin afirmues mund të bimë dakord për programet e mbështetjes së punësimeve për rajone ose qytete ku statistikat thonë se numri i të papunëve në një rajon është më i madh, krahasuar me një rajonet tjera. Ne jemi të gatshëm të mbështesim këtë aspekt social në politikat e punësimit. Por, edhe një mbështetje e tillë nuk njeh punësimin e çelësit etnik. Angazhohemi për një ekonomi konkurruese, ndërsa në ekonomi konkurruese nuk ka vend përveç kompetencës dhe profesionalizmit të njerëzve.

Me BDl-në kemi arritur marrëveshje për koalicion qeveritar për të zbatuar plotësisht Programin e Qeverisë. Koalicioni me BDl-në dhe PDSH-në është krijuar nga frika e përbashkët se vendit i duhen institucione efikase, të forta me kapacitet dhe legjitimitet të plotë që do të punojnë në mënyrë efektive për të kapërcyer pasojat e koronavirusit dhe për të adresuar sfidat e ardhshme të pandemisë. Ne i kemi harmonizuar përcaktimet tona programore në Programin e Punës së Qeverisë për periudhën 2020-2024. Së bashku ndajmë angazhimin tonë të fortë dhe vullnetin politik për vazhdimësinë në zbatimin e prioriteteve strategjike të vendit tonë: Energji e re dhe vendosmëri në krijimin e rritjes ekonomike më dinamike, zhvillim të qëndrueshëm, sundim i shtetit të së drejtës dhe institucione të forta, arsim modern, kohezion të brendshëm, ballafaqim efektiv me pandeminë globale të KOVID-19, anëtarësimin aktiv në NATO, vullnetin e fortë për të filluar dhe përfunduar me sukses negociatat mbi kapitujt për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore. Këto përparësi janë udhëzuesi ynë për katër vitet e ardhshme.

KOHA: Maqedonia në dhjetor pret seancën e parë ndërqeveritare me BE-në, e cila shënon edhe fillimin e hapjes së negociatave. Sipas autoriteteve në Bruksel, kapitulli mbi gjyqësorin dhe të drejtat dhe liritë e njeriut do të jetë një nga më të vështirët, në të cilin duhet të punohet edhe më shumë. A është e mundur që ky kapitull të rivendosë procesin nga fillimi, bazuar në Metodologjinë franceze?

ZAEV: Synimi ynë është të aktivizojmë rrugën e shpejtë të negociatave nga kapituj me përmbushjen e plotë dhe të pakushtëzuar të agjendës sonë evropiane. Sa për anën tonë, ne nuk do të lejojmë arsye për vonesa të reja. Ne e pranojmë parimin e ri të kthyeshëm të procesit nëse ka një degradim të mjedisit demokratik në vendin tonë, por theksoj, detyrimi ynë solemn është të mos e lejojmë atë në emër të së ardhmes së shtetit dhe qytetarëve. Shpresojmë që diskutimi mbi kornizën e negociatave në Bruksel të ketë një përfundim të suksesshëm të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, përkatësisht GAC, më 10 nëntor, pas së cilës do të jetë realiste të pritet mbajtja e Konferencës së parë ndërqeveritare në dhjetor. Pavarësisht krizës shëndetësore dhe ekonomike, e cila ka prekur vendin tonë, si dhe vendet e tjera në botë, Qeveria që drejtojë mbetet e përqendruar në krijimin e kushteve për një cikël të ri të rritjes ekonomike, zhvillimit të qëndrueshëm, shtetit efektiv ligjor, institucioneve të forta, arsim modern, shoqëria e qëndrueshme dhe kohezion të brendshëm. Jemi në një rrugë pa kthim. Në të kaluarën, shumë kohë ishte shpenzuar për konflikte në vend që t’i zgjidhte ato. Tani është ndryshe. Përfitimet e punës sonë ndjehen nga e tashmja dhe do të vazhdojnë të ndjehen edhe nga brezat e ardhshëm. Me çdo hap, me çdo kapitull të hapur në negociatat me BE, me çdo problem të zgjidhur, ne punojmë për të përmirësuar cilësinë jetës sëtë gjithë qytetarëve.

KOHA: Çfarë do të bëni me Memorandumin bullgar për mosnjohjen e kombit dhe gjuhës maqedonase?

ZAEV: Ne jemi aleatë në NATO me Republikën e Bullgarisë, ne kemi një detyrim dhe detyrë të përbashkët për të përmirësuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimin e ndërsjellë dhe ndërtimin e miqësisë. Ajo që sjell optimizëm janë sinjalet nga partnerët tanë evropianë që, çështjet dypalëshe nuk duhet të jenë një pengesë në fazën përfundimtare të negociatave. Fryma e vullnetit të mirë dhe miqësisë që buron nga Marrëveshja e miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit, na detyron të përqendrohemi në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe të respektojmë të drejtën e vetëvendosjes dhe të vetë-identifikimit si vlera themelore evropiane. Marrëveshja me Bullgarinë përcakton kornizën dhe instrumentet për bashkëpunimin dhe kapërcimin e dallimeve. Mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet është komunikimi. Ne nuk duhet të ndërpresim ose dëmtojmë komunikimin. Marrëveshja vendosi rregull në atë komunikim dhe ndau pyetjet historike dhe ua dha historianëve, ndërsa pyetjet politike – politikanëve. Ne kemi suksese në të dyja pjesët. Tani në agjendë është çështja për Goce Delçevin, për të cilën në këtë fazë kemi dallime. Por ishte e njëjta gjë kur hapeshin temat dhe personalitetet e mëparshëm historike, kështu që në fund arritëm në zgjidhje reciprokisht të pranueshme. Jam i bindur që do të jetë kështu edhe këtë herë. Në frymën e vullnetit të mirë dhe miqësisë, le ta lëmë çështjen e Goce Delçevit tek shkencëtarët e dy Komisioneve dhe le të përqendrohemi në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve për t’u ballafaquar së bashku me sfidat të cilat na solli pandemia.

KOHA: Programi i Qeverisë thotë se 5 për qind e rasteve gjyqësore që dyshohet se janë të montuara politikisht, do të shqyrtohen! Kur e keni shkruar këtë, cilat raste keni pasur parasysh? Ndoshta rastet e “Lagja e Trimave”, “Alfat” apo ndonjë lëndë tjetër?

ZAEV: Në pajtueshmëri me ligjet e reja, Këshilli Gjyqësor ka autorizimin të veprojë për çështje të caktuara, pra vendimet e gjykatave, si pjesë integrale e punës së gjyqtarëve, për të cilat ka një interes më të gjerë publik, si një pengesë shtesë për vullnetarizëm, objektivitet dhe parregullsi në zhvillimin e procedurave gjyqësore. Në këtë drejtim, për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj në mënyrë konkrete, Qeveria ashtu si në mandatin e mëparshëm, do të mbështesë krijimin e komisioneve hetimore ose fillimin e mbështetjes dhe monitorimit ndërkombëtar për raste të caktuara për të cilat u krijuan mosbesime dhe tensione ndëretnike. Për më tepër, ne do të propozojmë detyrime ligjore me të cilat Prokuroria Publike do të duhet të informojë rregullisht dhe vazhdimisht publikun për punën e saj dhe progresin në rastet që ndiqen nga qytetarët. Vetëm me punë transparente do të ballafaqohemi me krimin dhe korrupsionin, por edhe me mosbesimin ndaj sundimit të ligjit që kanë qytetarët.

KOHA: Kur dhe si do të realizohet Vetingu në gjyqësor?

ZAEV:Qeveria ka një konsensus të plotë se “pastrimi” efektiv dhe objektiv i gjyqësorit është i domosdoshëm. Hapi i parë i pastrimit, i cili duhet të interpretohet si Veting, tashmë është bërë me kompetencën që i janë dhënë Komisionit për parandalimin e korrupsionit që të mund të shqyrtojë pasuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve publik. Këshilli Gjyqësor, nga ana e tij, në përputhje me ligjet e reja, njoftoi një rishikim të hollësishëm të punës së gjyqtarëve, veçanërisht në lidhje me procedime të caktuara në çështjet që sollën në vjetërsim e lëndëve nga vonesa, seanca të rralla dhe të ngjashme. Verifikimi mund të përfshijë formimin personal dhe profesional, ekspertizën dhe qëndrueshmërinë e grupeve të interesit. Këto kontrolle nga institucionet ekzistuese dhe bazat ligjore të vendosura tashmë mund të japin rezultatet të shpejta dhe efikase, si dhe të sigurojnë funksionimin e shtetit të së drejtës dhe zgjidhjen e problemeve sistemore që kanë mbetur prej kohësh në gjyqësorin tonë.

Qeveria do të angazhohet për të siguruar monitorimin nga BE të çështjeve me korrupsion të lartë sa më shpejt të jetë e mundur. Ne ishim vendi i parë në rajon që i kërkuam BE-së të fillojë menjëherë një iniciativë për të monitoruar raste të profilit të lartë të korrupsionit. Komisioni Evropian e mbështeti këtë propozim dhe njoftoi një fillim të shpejtë të këtij instrumenti. Ne besojmë se ky hap do të rrit përgjegjësinë e prokurorëve dhe gjyqtarëve, do të forcojë luftën kundër korrupsionit, por gjithashtu do të rrit besimin e qytetarëve në shtetin tyre dhe institucionet e tij. Procesi i pastrimit duhet të drejtohet nga këto institucione, natyrisht në bashkëpunim me punonjësit në gjyqësor dhe prokurori, sepse vetëm në këtë mënyrë do të rikthehet besimi tek gjykatat dhe prokuroritë, vetëm në këtë mënyrë do të forcohet gjyqësori, i cili duhet të japë përfundimisht një drejtësi efikase, jo selektive dhe në kohë.

KOHA: Është fakt që me ardhjen tuaj në pushtet, marrëdhëniet ndëretnike në vend janë relaksuar. Por është gjithashtu një fakt i indiceve dhe britmave antishqiptare, siç ishte rasti me një pjesë të tifozëve “Komitët” në sheshin e Shkupit dhe incidentin tjetër në lagjen Gjorçe Petrov, të dyja rastet ende pa ndonjë epilog gjyqësor. Me fjalë të tjera, nuk ka asnjë të pandehur, aq më pak një të dënuar për nxitje të gjuhës së urrejtjes. A mendoni se duke mos zbatuar ligjet, po inkurajoni këto fenomene që mund të rrezikojnë sigurinë e qytetarëve?

ZAEV: Ne jemi një vend që bashkon grupe të ndryshme etnike, fetare dhe grupe të tjera. Për shekuj me radhë kemi ndërtuar atë që kemi sot dhe duhet të kujtojmë çdo ditë se sa e pavlefshme dhe e brishtë është çdo dhunë dhe gjuhë urrejtjeje, ato janë një kërcënim për vlerat tona. Koncepti ynë i “Një shoqërie për të gjithë” është një koncept që promovon këto vlera. Të kultivojmë zero tolerancë për çdo dhunë dhe gjuhë të urrejtjes në mënyrë që të mos lejojmë dhe të mos hezitojmë se kjo është rruga e drejtë për një të ardhme të përbashkët dhe prosperitet për të gjithë qytetarët tanë. Për të ruajtur historinë tonë me të cilën jemi të njohur në të gjithë botën, se përmes dialogut, respektit të ndërsjellë dhe ndërtimit të besimit – problemet gjithmonë kanë pasur një zgjidhje. Reagimet e publikut ndaj brutalitetit të pjesëtarëve të caktuar të policisë, reagimet ndaj dhunës së disa qytetarëve ndaj anëtarëve të shërbimeve të sigurisë, reagimet ndaj kritikave ndaj gjuhës së urrejtjes nga grupet e tifozëve janë një shprehje e pjekurisë së shoqërisë sonë në të cilën këto fenomene do të dënohen e sanksionohen gjithmonë. Për shumë raste ishim dëshmitarë të veprimit efektiv të policisë për të zbuluar dhe prangosur autorët, pas së cilës unë pres të veprojë Prokurorinë Publike në përgjigje të pranimit për zero tolerancë ndaj dhunës dhe gjuhës së urrejtjes.

KOHA: DSK është shndërruar në ANS, por kontrolli civil mbi punën e saj ende nuk po funksionon, sepse Komisioni i krijuar nga Parlamenti për këtë qëllim ende nuk ka nis me punë, nuk ka zyrat e veta dhe nuk ka financa?

ZAEV: Me fillimin me punë tëAgjencisë Nacionale të Sigurisë, pikërisht një vit më parë, u bë hapi i fundit në reformën e sektorit të sigurisë në vendin tonë, me të cilin Drejtoria e Sigurisë dhe Kundërzbulimit, e cila në të kaluarën ishte abuzuar për interesa personale dhe nga grupe të ndryshme, përfundimisht hyri në histori. Me Agjencinë Operative Teknike (OTA), e cila theu monopolin ose përqendrimin e pushtetit që ish-DSK kishte në sistemin e mbikëqyrjes së komunikimit, dhe procesi i reformës së sektorit të inteligjencës dhe sigurisë u plotësua nga formimi i Trupit Koordinues të Inteligjencës së Sigurisë me fushëveprimi të përcaktuar saktësisht të punës, përbërja, mënyra e punës dhe vendimmarrja, si dhe aspektet specifike në lidhje me punën e tij, në mënyrë që të zhvillohet një koordinim efektiv i bashkësisë së inteligjencës dhe kundërzbulimit. Ajo që e bën ANS-në moderne, është sistemi i vendosur i kontrollit parlamentar dhe civil. Një bashkëpunim i suksesshëm u arrit me organet e kontrollit mbi punën e ANS, përmes së cilës u shfaq gatishmëria jonë e plotë për depërtim të vërtetë në të gjitha aktivitetet e Agjencisë. Karakteristikë e periudhës së kaluar ishte komunikimi dhe bashkëpunimi intensiv me Komisionin për Mbikëqyrjen e Punës së Agjencisë së Sigurisë Kombëtare dhe Agjencinë e Inteligjencës, si dhe me Komisionin për Mbikëqyrjen e Masave për Përgjimin e Komunikimeve.

Në periudhën e kaluar njëvjeçare, janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në drejtim të krijimit të planit, personelit profesional dhe teknik, pozicionimit institucional dhe fillimit të suksesshëm të njësisë së re të sigurisë – Agjencia e Sigurisë Nacionale. Një funksionim që është plotësisht në kundërshtim me praktikat që, për fat të keq, kemi qenë dëshmitarë në të kaluarën. Tani kemi një agjenci që operon plotësisht në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe aktet nënligjore, siç i përshtatet shërbimit të sigurisë të një vendi anëtar të NATO-s. Por, procesi i reformës në sektorin e sigurisë nuk është një proces statik. Reforma nënkupton një koncept zhvillimi të përmirësimit të vazhdueshëm të kapaciteteve të disponueshme të sistemit të sigurisë, në mënyrë që ajo të mund të përballojë me sukses dhe të trajtojë kërcënimet dhe rreziqet moderne të sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare. Puna e deritanishme dhe rezultatet e arritura frymëzojnë besimin se në periudhën e ardhshme, Agjencia e Sigurisë Nacionale do të vazhdojë të punojë në përputhje të plotë me kornizën kushtetuese dhe ligjore, me respektimin e plotë dhe zbatimin e vlerave themelore evropiane dhe zhvillimin e mëtejshëm profesional për të punuar në përputhje me standardet e NATO-s.

KOHA: Në Kushtetutë, populli dhe gjuha shqipe janë emëruar si 20%! A ka vullnet politik në LSDM për ta ndryshuar këtë?

ZAEV: Me Amendamentin 4 të ndryshuar të Kushtetutës në vitit 2001, ndryshoi edhe Preambula e saj, me një dispozitë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe historike, me të cilën të gjitha bashkësitë e tjera etnike, përveç asaj maqedonase, tani përfshihen në këtë akt më të lartë të shtetndërtimit dhe akteve ligjore. Dhe lexohet saktësisht: “Qytetarët e Republikës së Maqedonisë, populli maqedonas, si dhe qytetarët që jetojnë brenda kufijve të saj që janë pjesë e popullit shqiptar, turk, vlleh, serb, rom, boshnjak dhe të tjerëve…”. Përqindja që përmendni është pjesë e të njëjtave ndryshime që nga viti 2001 kur u përcaktua një gjuhë tjetër zyrtare në vend dhe përcaktohet gjuha e folur nga të paktën 20% e qytetarëve.

KOHA: Z. Zaev, a keni njohuri se shumë qytetarë në vendin tonë ende kanë problem me shtetësinë. Ka situata absurde madje kur në një familje – fëmijët kanë shtetësi ndërsa nëna nuk ka, ose anasjelltas! Me fjalë të tjera, ne kemi edhe qytetarë që janë pa shtetësi (pa asnjë shtetësi), gjë që është në kundërshtim me Konventat e Kombeve të Bashkuara që vendi ynë ka nënshkruar? A është kjo pjesë e agjendës suaj politike?

ZAEV: Me propozim të Qeverisë, Parlamenti i vendit tonë më 3 janar të këtij viti ratifikoi Konventën e KB për Reduktimin e Pashtetësisë të vitit 1961, dhe kështu Maqedonia e Veriut ishte ndër vendet e para që pranoi këtë iniciativë të madhe ndërkombëtare, dhe kjo paraqet një hap të rëndësishëm në luftë kundër pashtetësisë, pra për mbrojtjen e të drejtave të personave që nuk kanë shtetësi të asnjë shteti. Maqedonia e Veriut është anëtare e Konventës së vitit 1954 mbi statusin e personave pa shtetësi që nga viti 1994 dhe pranimi i vendit në të dy konventat pa shtetësi riafirmon angazhimin e fortë të Qeverisë për të mbrojtur personat pa shtetësi dhe për të adresuar shkaqet e pashtetësisë, siç janë boshllëqe në legjislacionin e vendit. Për shkak të krizës me KOVID-19, periudha e zbatimit të dispozitave të Konventës u zgjat, por Qeveria përcakton zgjidhjet më të përshtatshme për kornizën institucionale-ligjore për regjistrimin e të gjithë personave, të cilët duhet të pajisen me dokumentacion personal bazë për të fituar të gjitha të drejtat civile, e cila më pas do t’u sigurojë atyre të gjitha përfitimet që kanë si të gjithë qytetarët e tjerë të vendit tonë.

KOHA: Opozita e udhëhequr nga VMRO-DPMNE që nga fillimi i mandatit tuaj filloi me protesta tematike për tema të ndryshme. A preferoni demokracinë në rrugë apo institucionale? A prisni mbështetje nga opozita për çështje të caktuara nëtë ardhmen?

ZAEV: Vendi ynë do të përballet me vendime dhe procese të rëndësishme në periudhën e ardhshme. Ballafaqimi me pandeminë, negociatat për anëtarësim në BE, zbatimin e reformave gjyqësore, konsolidimin ekonomik nga kriza KOVID-19… të gjitha këto janë procese në të cilat çdo kontribut është i rëndësishëm, si dhe ai i opozitës. Kontribut është edhe të mos i pengosh proceset për të cilat ekziston një konsensus në publik dhe në mesin e qytetarëve, për arsye se ato janë në interes të qytetarëve dhe shtetit. Nëse VMRO-DPMNE nuk e bën atë, atëherë kjo vetëm do të demonstrojë se ata nuk janë të interesuar për të mirën e shtetit dhe interesin e qytetarëve, por vetëm interesin e partisë dhe luftën e zhveshur për pushtet. Gjëja më e mirë për Maqedoninë e Veriut është që të ketë një opozitë demokratike që nuk devijon dhe nuk pengon drejtimet strategjike të vendit, siç kanë bërë deri më tani, dhe siç bëjnë sot. Fatkeqësisht, pas disfatës në zgjedhjet parlamentare, e vetmja gjë që bën Hristijan Mickoski është vetëm të përpiqet të mbajë vendin e tij si kryetar në “Pallatin e Bardhë”, në selinë e VMRO-DPMNE-së.

Si kujtesë, ai premtoi në fushatë se do të jepte dorëheqjen nga partia nëse nuk fitonte zgjedhjet dhe nuk arrinte të formonte Qeveri. Mickoski humbi dhe nuk formoi Qeveri. Të mos e mbash fjalën dhe të mos japësh dorëheqje, kjo flet shumë për të. Në vend që të kërkojë arsyet e humbjes në LSDM, Mickoski dhe ajo që ka mbetur nga VMRO-DPMNE, organizojnë protesta të rreme në rrugë, pa analizuar politikat e tyre të gabuara kur penguan përparimin e vendit, anëtarësimin në NATO, mbrojtjen e krimit të regjimit, ekzekutimin e urdhrave të Nikolla Gruevskit, gënjeshtra e qytetarëve, mungesa e qëndrimit ndaj qëllimeve kryesore strategjike dhe të gjitha destruktivitetin e tre viteve të fundit. Kjo është e pandershme dhe joserioze ndaj interesave të qytetarëve dhe shtetit. Nëse vazhdojnë kështu, do të jenë në opozitë për një kohë të gjatë.

KOHA: Vendi gjithashtu po përballet edhe nga pasojat e krizës ekonomike të shkaktuar nga kriza shëndetësore Kovid-19. Si kemi vepruar deri më tani, dhe a prisni që pasojat e kësaj krize vendin ta çojnënë një kolaps ekonomik?

ZAEV: Tri grupet e para të masave ndaluan efektet serioze të pandemisë si një krizë shëndetësore dhe sociale dhe parandaluan pasojat socio-ekonomike që në situata të tilla – mund të jenë dramatike dhe afatgjata. Strategjia e suksesshme për parandalimin e shembjes së sistemit shëndetësor dhe ekonomisë dhe sigurimeve shoqërore, krijoi kushte për paketën e katërt të masave ekonomike. Paketa e re synon të sigurojë qëndrueshmërinë e aktiviteteve të brendshme ekonomike dhe vendeve të punës, për të rimarrë aktivitete të caktuara, për të siguruar stabilitetin e transferimeve sociale dhe për të siguruar politika që do të ndihmojnë në zbatimin e një strategjie të shpejtë të daljes kur kriza të ketë mbaruar në mënyrë që të vazhdojmë me trendet pozitive të ekonomisë së re në zhvillimin e Maqedonisë.

Prandaj, mbështetja për qytetarët dhe ekonominë vazhdon dhe askush nuk do të mbetet anash. Ne kemi parasysh të gjitha aktivitetet dhe kompanitë. Vëmendja jonë është përqendruar plotësisht në mbështetjen për vendet e punës, të papunët, kategoritë e ndjeshme sociale siç janë falimentimet, pensionistët dhe qytetarët e kategorive të tjera. Paketa e katërt e masave është ndihma e drejtpërdrejtë për sigurinë ekonomike dhe sociale të bashkëqytetarëve tanë, si dhe për inkurajimin e konsumit privat si stimulues i rritjes shoqërore. Kur flasim për mbështetje dhe ndihmë për ekonominë, përkatësisht kompanitë e prekura nga kriza, si dhe për mbështetjen e bujqësisë dhe aktiviteteve të tjera, ne kemi para nesh të punësuarit në ato aktivitete. Bashkëqytetarët tanë që investojnë punën e tyre çdo ditë dhe kështu ndihmojnë jo vetëm zhvillimin e kompanisë, por edhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Koha e krizës është një kohë e mbështetjes dhe kujdesit të ndërsjellë dhe përqendrimit të të gjitha kapaciteteve dhe mjeteve financiare ndaj qytetarëve tanë. Paratë e qytetarëve janë për qytetarët. Vlera e paketës së 4-të të masave ekonomike është 470 milionë euro dhe së bashku me vlerën totale të tre paketave të mëparshme prej 550 milionë euro, do të thotë se 1 miliard e 20 milionë euro u drejtohen përsëri qytetarëve dhe ekonomisë për të siguruar qëndrueshmëri të ekonomisë me potencial për rigjallërim. Si më parë, krijimi i masave nga kjo paketë u bë sa më transparente, në një proces plotësisht përfshirës në të cilin morën pjesë dhomat e tregtisë, ato ekonomike, sindikatat dhe organizatat e punëdhënësve për të mbuluar numrin maksimal të qytetarëve të prekur nga kriza. Qeveria nuk do të ndalet këtu me angazhimin e saj për të përcaktuar vazhdimisht ide të reja dhe masa të reja për qytetarët. Njoftoj se tashmë jemi në procesin e përcaktimit të ndërhyrjeve të reja për ndihmë të drejtpërdrejtë për grupe të ndryshme. Ne vazhdimisht jemi duke bërë llogaritjet dhe në periudhën e ardhshme, do të kemi lajme të reja në lidhje me masat ekonomike – kjo është një ekonomi krize dhe ne do të jemi gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar qytetarët.

KOHA: Cili është vlerësimi juaj për stabilitetin rajonal? A prisni një zgjidhje të shpejtë midis Kosovës dhe Serbisë, dhe a do të ishte e pranueshme ndonjë zgjidhje edhe për vendin tonë që ata mund të arrijnë?

ZAEV: E ardhmja e Ballkanit është integrimi i plotë në Evropë. Për këtë, ndër të tjera, është e nevojshme të bëhet investimi maksimal në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, duke tejkaluar të gjitha çështjet e hapura në interes të secilës palë të përfshirë. Në atë mënyrë, përmes dialogut dhe tolerancës, miqësia bilaterale dhe bashkëpunimi rajonal do të forcohen. Në këtë kontekst, ne i mirëpresim të gjitha përpjekjet dhe të gjitha sukseset kur bëhet fjalë për një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës. Zhvillimi i marrëdhënieve të mira ekonomike dhe bashkëpunimi midis Serbisë dhe Kosovës ka një potencial të fortë për të stabilizuar më tej rajonin.

KOHA: Dhe për në fund, a prisni që pas një kohe të gjatë në vendin tonë, kjo të jetë Qeveria e parë që do të çojë mandatin deri në fund, pra një mandat të plotë, duke pasur parasysh shumicën e ngushtë që keni, dhe cili mendoni se do të jetë suksesi me të cilin mund të krenoheni pas 4 vjet qeverisje?

ZAEV: Ne do të investojmë të gjitha kapacitetet tona për të përmbushur qëllimet tona, një mandat 4-vjeçar për të përmbushur zotimet e Programit për të cilat kemi marrë besimin nga qytetarët. Meqenëse si shtet në periudhën e ardhshme na presin sfida serioze, ne duhet të punojmë me përkushtim nga dita e parë dhe për këtë arsye – këto janë raste kur duhet një Qeveri e qëndrueshme që do të punojë në një mandat të plotë për të mirën e qytetarëve, një Qeveri e përqendruar në ekonomi, drejtësi dhe negociata me BE. Ne jemi të përkushtuar për të hapur dhe mbyllur 80% të kapitujve të negociatave në katër vitet e ardhshme, dhe për t’i mbyllur negociatat plotësisht në gjashtë vjet. Në të gjithë procesin e negociatave, 2.5 miliardë euro të fondeve të pakthyeshme na vihen në dispozicion përmes fondeve evropiane. Paratë evropiane që do të përdorim për të sjellë standardet evropiane në shtet, për të investuar në shëndetësi, arsim, bujqësi, infrastrukturë, kulturë dhe zhvillim lokal. Përveç sigurisë, ka një periudhë përfitimesh ekonomike nga anëtarësimi ynë në NATO. Ne do të krijojmë një Qendër për Mbështetjen e Kompanive Vendore në pjesëmarrjen në tenderët e NATO-s, në mënyrë që të sigurojmë komunikim të plotë midis dhomave tona dhe agjencive përkatëse të NATO-s në vitin e parë të anëtarësimit tonë.

Ne do të inkurajojmë kompanitë tona vendase të konkurrojnë në tregun e NATO-s, i cili peshon 4 miliardë euro në vit. Periudha në vazhdim sjell sfida të reja në luftën kundër koronavirusit ku do të kërkohet angazhim edhe më i madh në sistemin shëndetësor. Prandaj, investimet në shëndetin publik vazhdojnë edhe më shumë. Edhe në këto kushte krize për shkak të KOVID-19, ne kemi një koncept ambicioz dhe të plotë për vazhdimin e politikave pozitive të filluara ekonomike dhe për ndërmarrjen e politikave të guximshme, të koordinuara dhe efektive që përshtatin ekonominë tonë në kohërat e reja. Pas përfundimit të krizës, Qeveria do të vazhdojë me përpjekjet e saj të provuara: rritjen e pagës minimale deri në fund të mandatit në shumën prej 20 deri në 40% dhe rritjen e pagës mesatare deri në fund të mandatit me 20 deri në 30%, në varësi të gjatësisë dhe ndikimit të krizës Kovid-19 në botë dhe ekonomitë e brendshme. Ne dimë dhe mundemi që deri në fund të mandatit, ta kthejmë ekonominë tonë në një rritje solide dhe të qëndrueshme prej 4 për qind. Inovacioni, digjitalizimi, fryma sipërmarrëse do të kenë fjalën kryesore në transformimin e ekonomisë sonë. Për të arritur këtë, ne kemi nevojë për stabilitet dhe parashikueshmëri. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që Qeveria e re të përfundojë tërë mandatin e katër viteve, gjithçka tjetër nuk është e favorshme as për ekonominë, as për integrimin tonë evropian.