6.7 milion euro për vaksinat anti-Covid! Zaev: Nëse ka nevojë për më shumë, do të sigurohen mjete shtesë

Shpërndaje

Qeveria ka siguruar para në Buxhet për furnizimin me vaksinën dhe ilaçin kundër Covid-19, thanë në debatin në TVM, kryeministri Zoran Zaev dhe ministri i financave Fatmir Besimi. Ndërkohë që sipas ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe vaksinën kundër korona virusit do ta kemi në janar ose shkurt të vitit 2021. Besimi shton se për momentin ka mjete të mjaftueshme të parapara për vaksinën.

“67.5 milion euro janë për ilaçin Remdesivir ndërsa për vaksinat kundër Covid janë ndarë 390 milion denarë ose 6.5 milion euro”, deklaroi Fatmir Besimi – Ministër i Financave.

Kryeministri Zoran Zaev ka thënë se projeksioni i Qeverisë është 800 mijë vaksina, por duke shtuar se nëse ka nevojë për më shumë, do të sigurohen edhe mjete shtesë.

“Ka të dhëna nga 10.74 euro për një vaksinë, që do të thotë të dy dozat janë 21 euro. Me projeksionet tona janë 800 mijë vaksina që është vendim i sistemit shëndetësor. Me rebalancin e buxhetit janë paraparë 2 milion euro, normalisht ato janë mjete të ngelura nga ato 7 milion euro. Janë para të ndara ashtu sikurse vendet tjera anëtare të Bashkimin Evropian dhe NATO”, u shpreh Zoran Zaev – kryeministër i RMV-së.

Maqedonia e Veriut është në sistemin KOVAKS përmes së cilës rezervohen vaksinat. Deri më tani, gjithsej 184 vende po marrin pjesë në instrumentin “Kovaks” nga të cilat 92 janë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të kualifikuar për qasje në vaksinat kundër Kovid-19 në kuadër të të ashtuquajturës “Angazhimi për avancimin e tregut”. Javën e kaluar, krijuesit e vaksinës anticovid Fajzer dhe BionTech njoftuan se efektiviteti i vaksinës së tyre ishte mbi 90 për qind, bazuar në 43.500 vullnetarë që morën pjesë në testim. Ndërkohë që krijuesi i vaksinës Pfizer ka deklaruar se jeta mund të kthehet në normalitet gjatë dimrit të ardhshëm dhe se vaksina mund të përgjysmojë transmetimin e virusit, duke rezultuar në “ulje dramatike” të numrit të rasteve të raportuara./TV21