Ali Ahmeti: Shokët dhe bashkëluftëtarët e mi do ta dëshmojnë luftën e drejtë të UÇK-së

Shpërndaje

Edhe kryetari i BDl-së, Ali Ahmeti ka reaguar ndaj konfirmimit të aktakuzës nga Specialja ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Ahmeti thotë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë e kombit shqiptar për liri dhe vetëvendosje por edhe për drejtësi dhe sundim të së drejtësi.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë e kombit shqiptar për liri dhe vetëvendosje, por edhe për drejtësi dhe sundim të së drejtës, shoqëri demokratike dhe kohezive, të orientuar drejt vlerave euro-amerikane”, thotë Ahmeti.

Ai potencon se është i bindur që shokët e bashkëluftëtarët e tij do ta dëshmojnë luftën e drejtë të UCK-së.

“Jam i bindur që shokët e mi, bashkëluftëtarët e mi, do ta dëshmojnë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe do të kthehen ngadhnjimtarë duke respektuar plotësisht sundimin e ligjit dhe drejtësinë vendore e ndërkombëtare. Unë e di se si unë, ashtu edhe shokët e mi, po ta kishim edhe një jetë, edhe një mundësi, edhe një kushtrim për të luftuar për liri dhe barazi, ne do ta bënim përsëri sepse besuam dhe besojmë në të drejtën e kombit tonë. Të gjitha të arriturat tona në këto dekada i kemi realizuar bashkarisht me miqtë tanë ndërkombëtar dhe bashkarisht, duke respektuar vlerat e përqafuara nga të gjithë ne, edhe do ta përfundojmë rrugëtimin tonë drejt lirisë, pavarësisë, drejtësisë dhe integrimit. Sundimi i ligjit dhe drejtësia e mirëfilltë joselektive janë synime të të gjithë neve andaj dhe përgëzoj krerët e Kosovës që iu përgjigjën thirrjes së drejtësisë në mënyrën më dinjitoze dhe ju uroj kthim sa më të shpejtë në detyrat e tyre që i presin”, thuhet në reagimin e Ahmetit.