Anija turke ndalohet dhe padrejtësisht kontrollohet në Mesdheun Lindor

Shpërndaje

Një fregatë gjermane nën komandën greke si pjesë e operacionit “Irini” në Mesdheun lindor, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, ndaloi dhe kontrolloi për orë të tëra një anije që nga Turqia në Libi transportonte mallra të ndryshëm, raporton Anadolu Agency (AA).

Bëhet fjalë për anijen “ROSELINA-A” e cila lundroi nga Stambolli nën flamurin turk për të transportuar ndihma humanitare në Libi.

Fregata gjermane nën komandën e marinës greke, duke shkelur ligjin ndërkombëtar, mbrëmë ndaloi atë në jugperëndim të Peloponezit.

Sipas ligjit detar ndërkombëtar, kontrolli i një anijeje mund të kryhen vetëm me pëlqimin e vendit, flamurin e të cilit mban anija. Pa një pëlqim të tillë nga Turqia, fregata nga Hamburgu zbriti në anijen një helikopter.

Personeli i anijes “ROSELINA-A” regjistroi të gjithë incidentin me celularët e tyre.

Pa miratimin e Turqisë dhe në kundërshtim me të gjitha normat dhe rregulloret e zbatueshme ndërkombëtare, ushtarët ia bllokuan rrugën anijes turke dhe kontrolluan kontejnerët me mallrat deri në orët e para të mëngjesit.

Pasi kuptuan se në kontejnerë gjendet vetëm ndihmë humanitare në ushqime dhe mallra të tjerë, ushtarët u larguan nga anija që po lundronte nën flamurin turk.

Paralajmërohet nisja e procedurave para institucioneve ndërkombëtare

Anija me ndihmë humanitare nga Turqia vazhdoi të lundronte drejt portit libian në Misrata, ndërsa autoritetet turke paralajmëruan se do të fillojnë procedurat para institucioneve përkatëse ndërkombëtare për shkak të incidentit.

Burime të sigurisë pohojnë se hyrja e personelit të operacionit “Irini” në anijen “ROSELINA-A” pa miratimin e Turqisë është një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar.

Të njëjtat burime theksojnë se për shkak të ndalimit skandaloz, anija u detyrua të qëndronte për orë të tëra në kushte të vështira në det dhe se u shkel parimi i lirisë në det të hapur.

Operacion kontrovers “Irini”

Bashkimi Evropian (BE) nisi operacionin “Irini” për të monitoruar respektimin e embargos së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Mesdhe për importet e armëve në Libi.

Operacioni nuk ka pëlqimin dhe as nuk përfshin Qeverinë e Akordit Kombëtar të Libisë, qeveri e njohur ndërkombëtarisht, e cila është e nevojshme në përputhje me Vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, 2291. Kjo është arsyeja pse operacioni po tërheq gjithnjë e më shumë kritika si një operacion i njëanshëm dhe i paligjshëm.

Disa vende e kundërshtojnë operacionin dhe tërhiqen prej tij, ndërsa disa anëtare të BE-së nuk e bëjnë këtë sepse nuk duan të rrezikojnë qasjen e tyre në fondet financiare evropiane.