Avokatja shqiptare në Oxford: Gjykata speciale duket se s`ka prova të forta

Shpërndaje

Rudina Jasini, avokate dhe studiuese e të drejtës penale ndërkombëtare pranë Universitetit të Oxfordit thotë se do të duhet të paktën një vit për fillimin e procesit gjyqësor ndaj liderëve të Kosovës që dyshohen për krime lufte.

Ndërsa kjo pritje mund të shkoi deri në 3 vjet tha ajo.

“Do të zgjasë me vite dhe do të rëndoi mbi Kosovës si në aspektin ndërkombëtar ashtu dhe në legjitimitetin e saj. Pas konferencës për ecurinë e çështjes do t’i jepet mundësia mbrojtjes të bëjë kërkesë për lirim me kusht. Koha më e shkurtër për fillimin e procesit gjyqësor është një vit por mund të zgjasë dhe dy apo tre vjet”, u shpreh Jasini.

Avokatja tha se, deri tani mbrojtja nuk ka asnjë informacion mbi provat dhe dëshmitë që ka prokuroria ndaj të akuzuarve, por këto të dhëna pritet t’i vihen në dispozicion brenda muajit nëntor. Duke folur mbi mundësinë që ekziston për hetimin në liri me kusht, ajo tha se kjo do të vlerësohet nga gjykata.

“Asgjë nuk mund të dihet paraprakisht por si parim ekziston. Por nëse lirimi me kushte mund të ndikojë në krijimin e trazirave në Kosovë apo të ndikojnë në hetime mund të refuzohet”, tha Jasini.

Por, nga ana tjetër studiuesja e të drejtës penale ndërkombëtare thotë se janë dy elementë që dëshmojnë se prokuroria nuk ka prova të forta.

“Një gjë është e sigurt, nëse prokuroria do të kishte një çështje shumë të fortë, do të kishte shumë mundësi që kjo çështje të ishte sjellë më përpara pasi ka marrë katër vite kohë për të sjellë çështjen e parë përpara kësaj gjykate. E dyta fakti, që një nga argumentet bazë që u përmend në raportin e Dick Martit në librin e Karla Del Pontes, baza për të cilën u themelua kjo gjykatë (trafikimi i organeve), nuk figuron fare në këtë aktakuzë. Kjo në vetvete ngre një pikëpyetje dhe tregon vështirësinë që ka pasur prokuroria për të ngritur këtë çështje”, përfundoi znj. Jasini.

Për faktin se, a mund të mbajë përgjegjësi Jakup Krasniqi për krime lufte në një kohë kur ka qenë vetëm zëdhënës, avokatja tha se, kjo lloj gjykate sjellin përpara drejtësisë ata që janë më përgjegjës për krimet.

“Një komandat konsiderohet përgjegjës jo vetëm për veprimet e tij por edhe për vartësit. Zëdhënësi mund të jetë përgjegjës pasi mban përgjegjësi. Kjo u vërtetua në tribunalin për ish-Jugosllavinë dhe çështjen Haradinaj dhe Limaj. I akuzuari i tretë është gjetur fajtor edhe pse mund të ishte ushtarë i thjesht pasi është gjetur se ka mbajtur përgjegjësi pikërisht për ndërmarrjen e përbashkët kriminale”, tha ajo, shkruan Euronewsal.