Bari që thuhet se e shëroi Trumpin nga Covid-19, në Kosovë po shitet qindra euro, mobilizohet shteti

Shpërndaje

Paracetamol, antibiotikë, fraksiparinë, vitamina të ndryshme, albumina, e remdesivir– këto janë disa nga medikamentet që kosovarët e prekur me koronavirus e që janë në gjendje më të rëndë shëndetësore po i përdorin gjatë mjekimit të tyre. E kostoja e tyre shkon në qindra euro. Vetëm njëri nga këto ilaçe, ‘Remdesiviri’, po blihet deri në 300 euro nga pacientët e prekur me Covid 19. Këtë ilaç shteti ende nuk ka arritur që t’ua sigurojë qytetarëve në nevojë.

Në Klinikën Infektive të QKUK’së tash e disa javë është duke u trajtuar një 59 vjeçare nga Mitrovica. Gjendja e saj shëndetësore është e rëndë. Ajo është nën përkujdesjen e mjekëve dhe me terapi të shumta mjekësore. Disa nga to jepen falas e disa të tjera pacientët po detyrohen që t’i blejnë vet në disa prej barnatoreve private të kryeqytetit.

Djali i kësaj 59-vjeçareje ka rrëfyer për Express se ka blerë tre ampula të ‘Remdisivirit’ në vlerën e 200 eurove për një ampulë, në mënyrë që nëna e tij të shërohet më shpejtë nga Covid 19.

“Ka tri javë që nënën e kemi këtu (Klinika Infektive). Në bisedë me familjarët e pacientëve po flitet për këtë Remdisevirin. I pyeta mjekët thanë që i suksesshëm po është. Unë i gjeta mi ble. Tre ampula më kushtuan gati 600 euro”, rrëfen ky familjar.