Dritan Abazoviqi propozohet për zëvendëskryeministër të Malit të Zi

Shpërndaje

Zëvendëskryeministër i Qeverisë së re të Malit të Zi, do të jetë Dritan Abazoviq, udhëheqësi i Aksionit të Reformës së Bashkuar (URA) dhe i koalicioni “E zeza në të bardhë”.

Kështu bëri të ditur mandatari për formimin e kësaj qeverie, Zdravko Krivokapiq, derisa paraqiti propozimin përfundimtar të përbërjes së kabinetit qeveritar.

Ministre e Mbrojtjes është propozuar Olivera Injac, profesoreshë e çështjeve të sigurisë. Në pozitën e ministrit të Brendshëm, Sergej Sekuloviq, ndërsa për atë të punëve të Jashtme, Gjorgje Raduloviq.

Millojko Spaiq është emëruar për ministër të Financave dhe Mirëqenies Sociale, ndërsa në qeverinë e re do të bashkohen katër resore: i arsimit, shkencës, kulturës dhe sporteve, për udhëheqjen e kësaj ministrie është emëruar, Vesna Bratiq.

Sipas propozimit të Krivokapiqit, ministre e Shëndetësisë duhet të jetë Jelena Boroviniq Bojoviq, ministër i Zhvillimit Ekonomik Jakov Milatoviq, ministër i Investimeve Kapitale, Mladen Bojaniq, ministre e Administratës Publike, Shoqërisë Dixhitale dhe Media, Tamara Srzentiq.

Ministri i Ekologjisë, Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor duhet të jetë Ratko Mitroviq, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave Aleksandar Stijoviq dhe Ministri i Drejtësisë dhe të Drejtave të Pakicave Vladimir Leposaviq, raporton REL.

Krivokapiq tha se negociatori kryesor me BE-në do të emërohet rreth datës 15 dhjetor.