Erdogan fton në Turqi investitorët

Shpërndaje

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, theksoi se nuk duhet lejuar që investitorët të shtypen nga norma të larta interesi, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan mori pjesë në Këshillin e Ekonomisë së Turqisë të Unionit të Odave të Tregtisë dhe Bursave të Republikës së Turqisë (TOBB) në kryeqytetin Ankara, ku vlerësoi zhvillimet ekonomike të vendit.

Duke i ftuar investitorët në Turqi, ai u shpreh se “Nuk duhet të lejojmë që investitorët tanë të shtypen nga norma të larta interesi”.

“Para nesh është një periudhë e re. Tani ne duhet të fokusohemi më fuqishëm në prodhim, investim, punësim dhe eksport”, tha ai, duke shprehur vendosmërinë e tyre se do të bëjnë çdo gjë që duhet për të arritur synimet.

Presidenti Erdoğan, gjatë fjalimit të tij u përqendrua edhe në suksesin e vendit të tij në ekonomi. “Me reformat që kemi realizuar, vendi ynë është renditur në vendin e 33-të në Indeksin e lehtësisë së bërjes biznes në mesin e 190 vendeve, duke u ngritur për 27 vende”, u shpreh ai duke shtuar se:

“Tani është e sigurt se ne do ta mbyllim tremujorin e tretë me një rritje të fuqishme sipas të dhënave paraprake të muajit shtator. Duke e ruajtur disiplinën financiare, do të vazhdojmë rrugëtimin tonë me fokus në rritje dhe punësim. Prioriteti ynë kryesor është luftë me inflacionin. Synimi ynë është që sa më shpejt të arrijmë inflacionin me numra njëshifror”.

Ai vlerësoi edhe punën e Spitaleve të Qytetit si dhe sistemin e përgjithshëm të sigurimeve shëndetësore, duke theksuar se këto janë një histori suksesi.

“Shpresoj që vitin e ardhshëm t’i kujtojmë këto ditë me një buzëqeshje të hidhur, duke lëne pas të gjithë këto vështirësi”, tha presidenti i Turqisë.