Erdogani shkarkon shefin e Bankës Qendrore pas rënies rekorde të lirës, fajëson “trekëndëshin e djallit”

Shpërndaje

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, e ka shkarkuar nga detyra guvernatorin e Bankës Qendrore, Murat Uysal, pasi vlera e lirës ra në nivel rekord, duke shënuar rënie prej 30 për qind që nga fillimi i këtij viti.

Vendimi për ta zëvendësuar këtë zyrtar u bë përmes një dekreti presidencial dhe u bë publik në gazetën zyrtare në orët e hershme të së shtunës, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Një dollar amerikan u këmbye me 8.54 lira të premten pasi arriti rekordin e vlerës më të ulët – 8.58, pavarësisht dobësimit të dollarit në kohën kur po vazhdon numërimi i votave në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara.

Guvernatoi i shkarkuar, i cili më parë shërbente si zëvendësguvernator, ishte caktuar në këtë pozit në korrik të vitit të kaluar, kur Erdogani e kishte shkarkuar paraardhësin e Uysalit, Murat Cetinkaya, për shkak të zemërimit të presidentit që Banka Qendrore nuk e kishte ulur shkallën e interesit për ta nxitur rritjen ekonomike.

Erdogani e ka shpallur veten armik të shkallës së lartë të interesit dhe vazhdimisht ka bërë thirrje për kosto më të ulët të huave. Fundjavën e kaluar, ai tha se Turqia është duke luftuar në një luftë ekonomike me ata që e kanë futur në, siç tha ai, trekëndëshin e djallit të shkallës së interesit dhe këmbimit si dhe inflacionit.