Guilloi: Sot nuk do të përcaktohet data për fillimin e gjykimit

Shpërndaje

Gjykatësi i Gjykatës Speciale, Nicolas Guilloi gjatë konferencës statusore të çështjes gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ku është diskutuar afati kohor për fillimin e procesit gjyqësor, tha se sot nuk do të caktohet data për fillimin e këtij procesi.

Prokuroria ka kërkuar që në qershorin e vitit 2021 të fillojë gjykimi, derisa një kërkesë e tillë është kundërshtuar nga mbrojtja. Guilloi theksoi se sa më shpejt që të përfundojë procesi i nxjerrjes së dokumentacionit nga prokuroria, aq më shpejt do të vazhdohet me procedurën.

Ndërsa, Prokurorja e Speciales Loson ka thënë se jo i gjithë materiali kërkon redaktime. Sipas saj, duhen katër ose gjashtë ditë pune për nxjerrjen e materialit për të realizuar afatin e tyre kohor prej 30 ditësh. E pyetur nga gjykatësi Guilloi se a i duhen edhe dy ose tri ditë shtesë mbi afatin kohor prej 30 ditësh, Prokurorja tha se do u duhen deri në 6 ditë pune për nxjerrjen e informacioneve nga materialet.

“Jo i gjithë materiali kërkon redaktime, duhet tri ditë të plota për nxjerrjen e informacionit. Do të na duhet katër deri gjashtë ditë punë për informacione për nxjerrjen e materialit, për të realizuar afatin tonë kohor prej 30 ditësh. Çdo zgjatje mbi afatin kohor prej 30 ditësh do të na ndihmonte”.