Kamberi: E nxora flamurin sepse jam për të çuar në vend amanetin e shqiptarëve të luginës (Video)

Shpërndaje

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se po mundohet që të çojë në vend amanetet dhe kërkesat e shqiptarëve të Luginës, për të cilat edhe mori votat.

Ai tha se, meqë këtë të enjte ishte për herë të parë prezent kabineti qeveritar i Serbisë, vendosi që të ngrejë një çështje shumë problematike që po ndodhë vetëm me shqiptarët në Serbi dhe me asnjë pakicë tjetër në rajon – mohimin e të drejtës për përdorimin e simboleve kombëtare, njofton Klan Kosova, përcjell rtvpresheva.com

“Për shkak se ishte fillimi i mandatit të kësaj qeverie unë shtrova kërkesën që përmes ndryshimit të nenit ndalues të përdorimit të lirë të simboleve kombëtare të ndërtojmë një barazi të përgjithshme të Ballkanit Perëndimor. Unë i përmenda shembujt e vendeve të rajonit si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe vetë Kosova që në mënyrë shumë tolerante rregullojnë këtë çështje, ndërkohë që Serbia mbetet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që ndalon përdorimin e simbolit dhe në këtë drejtim ndërton një pabarazi për banorët e saj”.

Kryeparlamentari Ivica Daçiq derisa i kërkoi që ta hiqte flamurin kombëtar u shpreh i lumtur se megjithatë nuk e nxori atë të Kosovës.

Për këtë, Kamberi thotë se lufta e shqiptarëve në Luginë është përdorimi i lirë i simboleve kombëtare derisa ligjin për ndalimin e flamurit kuq e zi tha se u bë një dredhi nga serbët.

“Problemi me ne këtu është se neni i caktuar i ligjit për mbrojtjen e të drejtave të pakicave nuk lejon përdorimin e simbolit kombëtar që është identik me simbolin e shtetit tjetër. Pra, kjo është një dredhi nga ana e Serbisë me qëllim që të parandalojë në radhë të parë pakicën shqiptare që ta përdorë flamurin e njëjtë kombëtar siç e përdorë shteti i Shqipërisë si flamur shtetëror”.

Kamberi në Klan Kosova tha se nuk e kishte për qëllim që të provokojë apo të shtrojë një temë që s’mund ta mbrojë.

“Thjesht kërkesa ime ka bazën dhe argumentet në të gjitha dokumentet ndërkombëtare të ratifikuara nga Serbia dhe kërkesa e popullsisë shqiptare të Preshevës është për përdorim të simbolit kombëtar shqiptar në këtë rajon”.

Përplasja në fytyrë e të padrejtave të shtetit serb ndaj pakicave në vetë institucionin më të lartë shtetëror po shihet me simpati nga shqiptarët në shtetet e tjera të rajonit, por a po bëhet halë në sy vetë Kamberi në Serbi?

“Unë jam i zgjedhur nga shqiptarët e Luginës që të përfaqësoj kërkesat e tyre në Kuvend. Prandaj, është me rëndësi që të çoj në vend këtë amanet të zgjedhësve të mi që e kanë adresuar përmes meje dhe kolegëve të mi. Pra, është pak e rëndësishme se si e komentojnë. Unë e kam pritur një reagim të tillë, madje edhe më keq. Prita që do të ma ndalin fjalën, por ndoshta menduan se do të bëhej edhe më skandal, prandaj reaguan siç reaguan”.

Kamberi edhe në këtë intervistë shtroi shqetësimin se në Serbi s’ka opozitarizëm, prandaj edhe s’kanë me kënd prej partive tjera serbe të bashkëpunojnë.

Ai shtoi se edhe ajo opozitë jashtëparlamentare nuk ka qëndrim më ndryshe se partia e Aleksandar Vuçiqit.