Kurti: Pas zgjedhjeve të reja mund ta kemi president të ri

Shpërndaje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se presidenti i Kosovës duhet të përfaqësojë unitetin e popullit, por kjo nuk mund të bëhet kur ka një qeveri të paligjshme.

Kurti në një konferencë për media, ka thënë se nuk ka pasur ndonjë takim për postin e presidentit dhe pas zgjedhjeve të reja mund të ketë edhe president të ri.

“Ne konsiderojmë që nuk mund të ketë unitet, pa legjitimitet. Presidenti ose presidentja e re duhet të përfaqësoj unitetin e popullit dhe kjo nuk mund të bëhet në kushtet kur kemi qeveri të paligjshme. Unë nuk kam pasur takime për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Kosova ka ushtrues detyre të presidentit, pra nuk është e zbrazët ajo karrige edhe për së paku gjashtë muaj teorikisht në bazë të Kushtetutës sonë, por pas zgjedhjeve të reja, mund të kemi president të ri, dhe qeveria e vjetër nuk e ka as legjitimitetin, as autoritetin, as kredibilitetin për iniciativa të tilla”, ka thënë Kurti.

Kurti ka folur edhe për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, ku thotë se këto zgjedhje duhet të mbahen sa më shpejtë, mirëpo për nisjen e mocionit për rrëzimin e qeverisë Hoti, thotë se nuk mjaftojnë vetëm votat e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ne besojmë se zgjedhjet duhet të mbahen sa më parë, meqenëse çdo ditë e humbur është ditë e fituar për të korruptuarit dhe një ditë më pak për qytetarët e vendit tonë. Jemi të interesuar që këto zgjedhje të jenë të një ore me parë apo qysh thotë populli, qysh dje, por kjo nuk varët vetëm prej Lëvizjes Vetëvendosje e cila ka 31 deputetë, që janë të pamjaftueshëm pa të tjerë për të shkaktuar zgjedhje të reja përmes rrëzimit të kësaj qeverie”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se pas shkuarjes së kryetarit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimit në Hagë, Vetëvendosje nuk do të zgjedh kryetar të ri, mirëpo si ushtrues detyre ka vendosur që të jetë Liburn Aliu.