Më 18 nëntor seanca e radhës e Thaçit në Speciale

Shpërndaje

Seanca e radhës e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Gjykatën Speciale në Hagë do të jetë më 18 nëntor.

Kështu është bërë e ditur nga Dhomat e Specializuara, ku në kalendarin e tyre, e kanë caktuar 18 nëntorin si datë për konferencën për ecurinë e çështjes.

Senanca do të fillojë nga ora 11:00.

Thaçit iu konfirmua aktakuza më 5 nëntor i cili po atë ditë u arrestua dhe u dërgua në objektin e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Ndërsa më 9 nëntor Thaçi u paraqit për herë të parë në gjyqin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, ku u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të ngritur nga Dhomat e Specializuara. Pala mbrojtëse tha se do të dorëzojë kërkesën për lirimin e përkohshëm të Thaçit.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, bashkë me ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin dhe shefin e Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimin u nisën me një avion për në Dhomat e Specializuara në Hagë. Një ditë përpara, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi ishte arrestuar dhe ishte dërguar për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara.