Mijëra persona mblidhen në kryeqytetin amerikan për të mbështetur Trump-in

Shpërndaje

Dhjetëra mijëra demonstrues u mblodhën sot në kryeqytetin e SHBA-së në mbështetje të presidentit Donald Trump i cili nuk ka pranuar fitoren e presidentit të zgjedhur demokrat Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, raporton Anadolu Agency (AA).

Mbështetësit e Trump-it u mblodhën në “Freedom Plaza” herët gjatë ditës, që ndodhet një bllok nga Shtëpia e Bardhë, e cila ka qenë një pikë qendrore për shumicën e demonstratave.

Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime: “Trump me dy mandate”; “Ne ju mbështesim zoti president”; ndërsa brohorisnin “Stop vjedhjes” dhe “Edhe katër vjet”.

Presidenti në largim dje shkroi në Twitter se mund të paraqitet në tubim. Mëngjesin e sotëm, autokolona e tij kaloi pranë tubimit, duke brohoritur demonstruesit që pretendojnë se Trump ka fituar zgjedhjet.

Trump po sfidon rezultatet e zgjedhjeve, duke pretenduar për mashtrim dhe parregullsi zgjedhore, por autoritetet kanë thënë që zgjedhjet e vitit 2020 ishin më të sigurtat në histori.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany, tha se në marsh morrën pjesë 1 milionë persona.

“Baza më e mirë në historinë politike – ju duam djema”, shkroi ajo në Twitter.

Trump gjithashtu shkroi në Twitter duke pretenduar se qindra mijëra njerëz treguan mbështetje në kryeqytetin e SHBA-së.

“Ata nuk do të mbështesin mashtrim zgjedhor dhe zgjedhje të korruptuara”, shkroi ai.

Kandidati që fiton 270 delegatë, që është një më shumë se gjysma e 538 delegatëve në zgjedhjet presidenciale në SHBA, fiton të drejtën që të bëhet president në SHBA.

Presidenti i zgjedhur duhet të bëjë betimin zyrtar në muajin janar.