Putini tregon se pse s’e ka uruar ende Bidenin për fitoren e zgjedhjeve në ShBA

Shpërndaje

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin beson se ka probleme në sistemin zgjedhor në ShBA.

Ai ka thënë se kjo ishte absolutisht e qartë për të gjithë botën.

Sipas Putinit, vetëm amerikanët mund ta vlerësojnë legjitimitetin e zgjedhjeve në Amerikë.

“Ju e shihni, nëse autoritetet janë legjitime ose jo, vetëm amerikanët mund ta vlerësojnë atë” ka thënë Putini në një intervistë për kanalin televiziv “Russia-1”.

Putini ka thënë se të metat e sistemit zgjedhor amerikan mohojnë të drejtën e Shteteve të Bashkuara për të akuzuar ndonjë vend tjetër për rregulla të këqija zgjedhore, duke shtuar se Moska kundërshton ndërhyrjen në punët e brendshme të Amerikës. Në këtë kontekst, ai ka akuzuar se Uashingtoni zyrtar po e bën pikërisht atë.

“Shikoni zgjedhjet. Ata nuk lejojnë vëzhguesit të afrohen më pak se 7 metra”, ka thënë Putini, duke theksuar përsëri se kjo është çështje e brendshme e SHBA-së.

Më tutje, ai ka shpjeguar se pse nuk e ka uruar ende presidentin e zgjedhur, Joe Biden për fitoren në zgjedhjet presidenciale.

Sipas tij, është e nevojshme të pritet që të gjitha çështjet ligjore dhe procedurat të mbyllen, ndërsa ka thënë se mungesa e një urimi zyrtar në këtë kohë për presidentin e ri të ShBA-së nuk do t’i dëmtojë marrëdhëniet me Uashingtonin.

“Ne e respektojmë presidentin aktual Donald Trump dhe kandidatin për presidentin e ri të ShBA-së, Joe Biden dhe nuk kemi asnjë problem me këtë”, ka thënë presidenti rus, duke kujtuar se shumë liderë e kishin përgëzuar Hillary Clintonin në zgjedhjet e parafundit në ShBA, por në fund doli se Donald Trump i kishte fituar zgjedhjet.

“Ne do të bashkëpunojmë me secilin kandidat që e ka fituar besimin e shumicës së popullit amerikan”, ka thënë Putini. Ai ka përsëritur se nuk ka qëllime të fshehura të Moskës ose pak a shumë favorizim për njërin ose tjetrin kandidat për Shtëpinë e Bardhë.

“Ne jemi vetëm duke pritur derisa të përfundojnë zgjedhjet dhe trazirat politike në Amerikë”, ka thënë Putini.