Rast social/Burrin dhe vajzën i mori vdekja, Sherifja të vetmin djalë e ka të sëmurë, shet bakllava për të mbijetuar

Shpërndaje

“Ujë në mushkëri, Zoti të ndihmoftë bir”.

A je sot më mirë?

“Pak me thanë ama jo”

Ky është Lumjan Shabedini 24 vjeç, dhe është i shtruar në spital.

Me nënën e tij komunikojnë përmes viberit.

“Hajde për të mirë zemra ime, folim më vonë”.

Kjo bluzë që ka veshur tregon më së miri shpirtin luftarak të Nënës Sherife.

Sherifja është vetë burrë e vetë grua.

Burri i saj ka ndërruar jetë para 7 vitesh. E sikur të mos mjaftonte kjo, Sherifes i vdes edhe vajza 30 vjeçe, e këtë nënë me halle sa malet, po e shkatërron djali i saj i sëmurë.

Mjekët i kanë thënë se mushkëritë i ka të mbushura me ujë, dhe të dëmtuar, dhe se duhet të dërgohet jashtë shtetit për shërim.

Kur flet për hallet, nëna Sherife nuk mund t’i mbajë lotët.

“Deri sa të më lënë këmbët unë do të kujdesem, veç djalin ta shoh në këmbë asgjë tjetër nuk dua. Në rrugë kisha fjetur, vetëm djalin ta shoh duke ecur si shokët. I kam rritur me lot për faqesh”, tha Sherife Shabedini.

Për të blerë barna për djalin e saj të sëmurë, ajo shet bakllava në pazarin e Shkupit.

TV21: A po punon?

Sherife Shabedini: “Jo tani për tani asgjë, i kam bërë nja 2-3 bakllava i kam shitur, kam blerë pak harxhë për shtëpi, pak me ngrënë. Me spitalin nuk po muj me arrit me të hollat.

Nuk di, nuk di çfarë të bëj”.

Nëna Sherife kërkon të mblidhen të holla që të mundet djalin ta dërgojë jashtë shtetit për shërim.

Kjo familje jeton me qira në qendër të Shkupit, përveç pensionit që u la burri, nuk marrin asnjë të ardhur tjetër, ndërsa me pensionin e paguajnë qiranë e shtëpisë.