Sela i shkruan Pendarovskit: Cila është qasja e shtetit që ju drejtoni ndaj popujve në Maqedoninë e Veriut!?

Shpërndaje

Me rastin e shënimit të 22 Nëntorit, ditës së Alfabetit të gjuhës shqipe presidenti i vendit Pendarovski i është drejtuar qytetarëve shqiptarë në gjuhën shqipe duke uruar festën por edhe duke bërë një përshkrim me rastin e kësaj feste. Ndërkohë që në këtë drejtim i ka reaguar kreu i ASH-së Ziadin Sela i cili e përgëzon për qasjen e tij por gjithashtu e pyet edhe për qasjen e shtetit ndaj popujve në vend.

Në vazhdim ju sjellim komentin e Selës:

I nderuari President,

Fillimisht ju falenderoj që keni marrë për shkas 22 Nëntorin, ditën e Kongresit të Manastirit, respektivisht ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe për të na uruar këtë ditë kaq të rëndësishme për gjuhën tonë.

Kjo qasje e juaja është për t’u përshëndetur, sepse tregoni kujdes për së paku një të tretën e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, aq më tepër që edhe Manastiri është këtu. Nuk kam aspak dilemë që ju po të njejtën qasje do e kishit edhe për bashkësitë tjera etnike këtu tek ne dhe më gjërë. Këto gjeste të bëjnë mendjehapur dhe kjo është mirë, është shumë mirë për imazhin e një Presidenti në krye të një shteti multietnik siç është Maqedonia e Veriut.

Por, jashtë festave gjithmonë!

Cila është qasja e shtetit që ju drejtoni ndaj popujve në Maqedoninë e Veriut!? Ndaj gjuhëve të tyre?!

Shpresoj të mos jetë qëndrim vetëm festiv dhe për nevoja të rregullimit të një kontesti me ndonjë shtet fqinj, por qëndrimi i presidencës dhe i juaji si President, citoj: “Gjuha dhe kultura janë themelet e çdo populli dhe mohimi i tyre është tentim për të shkatërruar origjininën kombëtare të një populli… “, është për tu përshëndetur.

Atëherë me të njëjtën logjikë, gjithmonë duke u bazuar tek citati juaj. Kë quan kushtetuta e Maqedonisë së Veriut gjuhë të cilën e flasin mbi 20 përqind të popullatës dhe që është e ndryshme nga gjuha maqedonase?!

A bën pjesë edhe Maqedonia e Veriut në grupin e shteteve që me mosnjohjen e gjuhës shqipe si kategori kushtetuese, po punon për shkatërimin e origjinës kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut?