Shënohet me disa aktivitete 76-vjetori i Çlirimit të Tiranës

Shpërndaje

Në Tiranë sot me aktivitete të ndryshme është shënuar 76-vjetori i Çlirimit të kryeqytetit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia qendrore u organizua nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës tek Monumenti Ushtari i Panjohur me pjesëmarrjen e ministrave të Qeverisë së Shqipërisë, përfaqësuesve të Kuvendit të Shqipërisë, veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe qytetarëve të Tiranës.

Ndërkohë, homazhe tek Monumenti Ushtari i Panjohur me rastin e përvjetorit të çlirimit të Tiranës ka bërë edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, gjatë fjalës në ceremoni tha se luftëtarët dhe heronjtë janë të shenjtë dhe të paprekshëm. “Nderi për ta nuk janë kapaçkat e qëllimta politike të pushteteve, por kujtesa dhe respekti i një populli mirënjohës, ndaj heronjtë nuk janë të pushtetit, janë të popullit”, theksoi Braçe.

Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, tha në ceremoni se vlerat e antifashizmit, progresit dhe të lirisë përbëjnë rrënjët e Shqipërisë së sotme demokratike dhe qëndrojnë sipas saj në themel të kontributit në NATO dhe “përpjekjeve për t’iu bashkuar familjes evropiane”.

Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se ishin “pikërisht heronjtë, që në kokën e tyre nuk bluanin asnjë ideologji mes të majtës apo të djathtës, apo kalkulimet politike përveç se dëshirën për të jetuar në paqe dhe të lirë”.

“Për Partinë Socialiste, për familjen tonë të madhe politike, lufta nacionalçlirimtare ka qenë dhe mbetet një simbol lavdie dhe krenarie dhe si forcë politike mbetemi të papërkulshëm në detyrimin për të lartësuar dhe respektuar veprën e atyre brezave patriotik dhe kombëtar që dhanë jetën për çlirimin e atdheut dhe ngjizën përjetësisht ëndrrën e vendosjes së Shqipërisë në binarët evropianë dhe të ardhmes euroatlantike”, tha Veliaj.

Veliaj theksoi se “Vetëm e mira dhe bashkimi e ka çuar këtë vend përpara. Kjo ndodhi përpara 76 vitesh, do të ndodhë sërish, jam i sigurt, sepse sa herë Tirana bashkëpunon për të ecur përpara, kemi dalë gjithmonë faqebardhë”.

Si datë e çlirimit të Tiranës është 17 nëntori i vitit 1944. Me rastin 76-vjetorit të Çlirimit të kryeqytetit të Shqipërisë, Bashkia e Tiranës ka organizuar disa aktivitete, përfshirë edhe ekspozitën e pikturave dhe fotografive “Tirana dje dhe sot” dhe një program artistik.