Shqipëria mposhtë Bjellorusinë, siguron kalimin në Ligën B

Shpërndaje

Shqipëria e mbyll me fitore këtë edicion të Ligës së Kombeve, duke rrëmbyer kështu edhe vendin e parë në grup në Ligën C. Një objektiv ky i kuqezinjve që për një moment u duk se po i shpëtonte nga duart, por që në fund nuk u la vend për surpriza. Megjithatë sa vlerë ka ky vend i parë për Kombëtaren shqiptare?

Gjithë vëmendja është kthyer tashmë te mundësitë për një kualifikim nga Liga e Kombeve në ëndrrën për Botërorin e Katarit të vitit 2022. Shpejt kanë nisur të bëhen llogaritë, që në fund rezultojnë një matematikë “e pamundur” për kuqezinjtë.

Formati i Ligës së Kombeve për të siguruar një biletë Botërori ndryshon nga ai i sezonit të shkuar për në kampionatin Europian. Një vit më parë do të mjaftonte që të fitoheshin gjysmëfinalja dhe finalja e Ligës C dhe mund të fillonte festa për një kualifikim në Euro21, por në këtë rast situata është krejtësisht ndryshe.

Nëpërmjet grupeve të kualifikueseve për në Katar 2022, 10 vendet e para të po aq grupeve sigurojnë një biletë për në Botëror, ndërsa 10 vendet e dyta shkojnë në play off, ku do të presin 2 Kombëtaret më të mira nga fitueset e grupeve në Ligën e Kombeve. E për të nxjerrë 2 më të mirat merret për bazë renditja e përgjithshme e përfaqësueseve në këtë edicion, ku Shqipëria në skenarin më të mirë të mundshëm do të ketë 6 Kombëtare të tjera sipër saj.

Nëse ekipet e Ligës A e kanë të lehtë të kualifikohen nëpërmjet grupeve, e njëjta gjë nuk mund të thuhet me siguri për Ligën B, e për të mos kaluar më pas në atë C. Momentalisht në Ligën B janë Kombëtaret e Uellsit, Austrisë, Skocisë dhe Rusisë për të cilat kuqezinjtë duhet të shpresojnë të kenë mbërritur në play off ose në grupet e Botëroret prej kualifikueseve, ndërsa listës i shtohen edhe Mali i Zi dhe Sllovenia ose Greqia, ndërsa në bazë të rezultatit të sotëm do të mësohet nëse edhe Maqedonia e Veriut do të jetë sipër nesh në renditje dhe për këtë i nevojitet një fitore kundër Armenisë.

E pas gjithë këtyre llogarive, shpresat për një vend në play off të Botërorit të ardhshëm nëpërmjet Ligës së Kombeve janë të pakta dhe ndoshta nevojitet një mrekulli që djemtë e Edi Rejas të prekin këtë ëndërr me dorë.