Zaev: Kush ka para tepricë le të shkojë në spitalet private, por gjithçka që kanë klinikat private, kanë edhe në ato publike

Shpërndaje

Nuk mund të pranoj që një trajtim me transplantim gjaku në një institucion shëndetësor është 12 mijë euro, tha Kryeministri Zoran Zaev në intervistën e mbrëmshme në Televizionin 21 duke komentuar çmimet për trajtimin e Kovid-19 në spitalet private në Shkup, njofton Portalb.mk.

“Nuk është e natyrshme për mua që harxhimet janë 12 mijë euro. E dëgjoj atë, nuk e kam vërtetuar, por në një gjendje të jashtëzakonshme, sistemi shëndetësor duhet të jetë i barabartë për të gjithë, në mënyrë që të mos ketë fenomene të tilla disonante”, tha Zaev, duke iu përgjigjur komentit të moderatori se me krizën e korona virusit, u shfaqën dallimet shoqërore dhe se qytetarët e kanë më të vështirë të marrin shërbim shëndetësor cilësor.

Kryeministri tha se gjithçka që ka në klinikat private, ka edhe në sistemin publik shëndetësor.

“Nëse dikush ka tepricë parash, udhëro le të shkojë , janë kompani të licencuara, instiucione shëndetësore që normalisht funksionojnë për përfitim. Ne si shtet nuk punojmë për përfitim. Transplantimi i gjakut është në dispozicion në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, remedisivir është në dispozicion në Klinikën e Sëmundjeve Infektive dhe jepet në përputhje me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Profesionistët e shëndetësisë bëjnë gjithçka që munden. Unë e kuptoj që qytetarët tashmë janë nervozë,” tha Zaev, duke komentuar thirrjet dhe komentet në rrjetet sociale.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, më 10 nëntor, kur u pyet pse nuk përdoret trajtimi i pastrimit të gjakut në spitalet shtetërore për pacientët me Kovid-19, u përgjigj: “Nuk ka asnjë provë mjekësore që ky trajtim ndihmon për këtë sëmundje”.

Sipas të dhënave të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FZOM), një ditë trajtimi në spital e një pacienti me Kovid-19 kushton 200 euro, ndërsa një pacient i lidhur me aparat respirator për më shumë se 4 ditë i kushton shtetit 5,700 euro. Këto janë të dhëna që i ka marrë redaksia digjitale SDK.MK nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore bazuar në analizat fillestare që ata bënë për trajtimin e pacientëve nga fillimi i pandemisë deri më tani.