Zërat për interpelancë s’e shqetësojnë Ahmetin! Nuk beson se deputetë të BDl-së do ta bënin një gjë të tillë

Shpërndaje

Kreu i BDl-së Ali Ahmeti thotë se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar për zërat se deputetë të BDl-së mund të ngrenë interpelancë për bashkëpartiakë të tyre, konkretisht shefi i grupit parlamentar Izet Mexhiti ndaj zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe Ministrit të Jashtëm Bujar Osmani.

“Nuk ka ndonjë shqetësim sepse sigurisht në qoftë se do të kishte gjë të tillë sigurisht se z.Mexhiti do të kishte biseduar me mua por një temë e tillë as që është hapur.

TV21: Po ju pyes sepse z. Blerim Bexheti nga kjo studio pat paralajmëruar se mund të ketë edhe interpelancë, mund të ketë çështje pas 100 ditësh!

“Po sigurisht po interpelanca thërret opozita” tha Ahmeti.

TV21: D.m.th ju duket e çuditshme nëse dikush, ndonjë deputet i juaji do të ngriste…

“Po pse jo, demokraci është…” u shpreh Ahmeti.

Nuk pret që dikush nga partia e tij të bëhet bashkë me opozitën për interpelancë. E nëse eventualisht dikush nga BDl ngre interpelancë për bashëpartiakët, Ahmeti siguron se i njëjti sërish vendin do ta ketë në parti.

“Nuk mendoj që deputetë të BDl-së të bëhen bashkë me opozitën për të….

TV21: Po ju po thoni demokraci, dhe se çdokush që e bën një gjë të tillë, prapëseprapë e ka vendin në BDl.

– Po është demokraci por është demokraci brenda BDl-së, e jo të bëhesh me opozitën”, tha kreu integrist.

Zërat për interpelancë të Mexhitit ndaj Grubit e Osmanit u përhapën javën që lamë pas, ndërkaq vetë Mexhiti, i pyetur për këtë, as nuk pohoi as nuk mohoi këtë gjë, ndërsa shtoi se nuk do të pronocnohet për këtë gjë para se qeveria të mbushë 100 ditë.

Mexhiti ishte zë që hapur ka shprehur pakënaqësi para dy muajsh e gjysmë, kur u bënë emërimet e kuadrove të BDl-së në ekzekutiv.

Kreu i BDl-së, ndërkaq, në ClickPlus që do të transmetohet sonte, tha se gjithnjë brenda BDl ka pasur zëra ndryshe, të cilët ai i ka përkrahur, por ajo që e shqetëson dhe irriton më shumë, siç tha, janë punët prapa shpine, me prapavijë e me skenarë.