1 mijë euro për një të ndjerë, koronavirusi rrit çmimin e varrimit në Maqedoninë e Veriut

Shpërndaje

Agjencitë funerale kanë përfituar rreth 1,5 milion euro gjatë kohës së pandemisë. Çmimet e shërbimeve mortore janë rritur për pacientët e prekur nga Co Vid-19, të cilët ndërruan jetë gjatë këtyre 9 muajve. Prej muajit mars deri në fillim të dhjetorit virusi korona jetën iu mori mbi 1,800 pacientëve në vend, raporton Alsat-M, përmes një kronike.

Reagime të shumta të familjarëve erdhën në rrjetet sociale, të cilët kanë paguar shuma të majme për të ndjerët që e pësuan nga ky virusi. Ata prapa kamerave thonë se ndjehen të mashtruar dhe se agjencitë e funeraleve kanë keqpërdorur tragjeditë për të përfituar shuma parash.

“Nga përvoja personale ju tregoj se mbi 60 mijë denarë kam paguar për te varrezat në Gjorçe-Shkup”. “Shuma prej 1 mijë eurove mu faturua edhe mua për një shërbim të njëjtë të pacientit nga Covid-19”, thonë qytetarët për Alsat-M.

Nga fillim i pandemisë e gjatë valës së pranverës, çmimet lëviznin nga 500-800 euro varësisht prej qyteteve, na thanë disa nga këto agjenci të cilat i kontaktuam. Ndërkaq, me shtimin e vdekshmërisë në valën e vjeshtës, çmimi për një shërbim funerali arriti deri në 1,000 euro, duke përfshirë edhe arkivolin hermetikisht të mbyllur. Në fakt, kjo e fundit nuk ishte e obliguar sipas protokollit shëndetësor. Ministri i Shëndetësisë Filipçe tha se shteti nuk ndërhyn në përcaktimin e shumës së shërbimeve mortore.

Zëvendësministri Ilir Hasani tha se me protokollin e ri kostoja do të ulet për 200 euro sa ka kushtuar arkivoli hermetik i metaltë, duke evituar keqpërdorimet e mundshme të agjencive funerale.

Me vendimin e fundit të Qeverisë, operatorët e shërbimeve funerale detyrohen të ndryshojnë Protokollin për parandalimin e infektimit gjatë procedimit të kufomave. Ekzekutivi vendosi se përgatitja, transporti dhe varrimi i të ndjerëve nuk duhet të jetë në arkivol metali.