217.000 euro për ish të punësuarit në PSP, nëse heqin dorë nga paditë

Shpërndaje

Pasi Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi urdhëresën qeveritare me të cilën duhej të paguhen pagat e papaguara të punonjësve të mëparshëm në PSP, sot Qeveriaka përcaktuar mjete të cilat do t’ua ofrojë si marrëveshje jashtëgjyqësore, nëse ata i tërheqin paditë. Kjo do të jetë në bazë vullnetare. Ata që do të insistojnë që t’i fitojnë në mënyrë gjyqësore, jo vetëm paratë e fituara por duke përfshirë kamatën, për ata, avokati i shtetit do të shkojë në gjyq dhe do ta përfaqësojë shtetin e paditur, raporton SDK, përcjell Portalb.

Marrëveshja do të ofrohet dhe do të zhvillohet përmes Prokurorisë së shtetit.

“Qeveria konstatoi që t’i rekomandojë Prokurorisë publike të RMV-së, në afat prej 30 ditësh nga miratimi i informatës së sotme dhe sigurimi i mjeteve financiare, nëpunësve të prokurorisë dhe personave tjerë të punësuar në PSP, t’u ofrojë të nënshkruajnë marrëveshje jashtëgjyqësore me të cilën, punonjësit e prokurorisë dhe të punësuarit e tjerë do të pajtohen që me pagesat e pagës dhe kompensimeve tjera për muajt dhjetor 2019, janar, shkurt dhe mars 2020 të paguara me detyrim nëpërmjet Drejtorisë së të ardhurave publike i kanë realizuar të drejtat nga marrëdhënia e punës për pagesë të pagave dhe kompensimeve tjera për muajt në fjalë. Ndërkaq, Prokuroria pajtohet nga llogaria e thesarit të vet, nënprogrami 21, zëri i shpenzimeve 464 – Transfere të ndryshme, të bëhet pagesë e pagave dhe kompensimeve tjera, sipas përllogaritjes së DAP-së, në procedurën për zbatim me detyrim për muajt prill, maj dhe me përfundim më 30 qershor 2020”, ka njoftuar Qeveria.

Me nënshkrim të marrëveshjes jashtëgjyqësore, nëpunësi i prokurorisë dhe personi i punësuar në PSP heq dorë nga kamatat dhe çfarëdo kompensimi tjetër si dhe shpenzim në çfarë do procedurë si dhe obligohen t’i tërheqin paditë në bazë të pagave, kamatave dhe kompensimeve tjera.

Qeveria e angazhoi Ministrinë për Financa, në llogarinë buxhetore të Prokurorisë publike të Maqedonisë, të ndajë mjete në shumë prej 217.000 euro, për përmbushjen e obligimeve me marrëveshje jashtëgjyqësore për paga dhe kompensime tjera. Nëse në afatin e përcaktuar nuk i nënshkruajnë marrëveshjet jashtëgjyqësore, për atë ta njoftojnë Avokatin e Shtetit të Maqedonisë, për të ndërmarrë mjete përkatëse juridike dhe ta informojë për lartësinë e pagave dhe të mjeteve të paguara në fondet, në bazë të kontributeve dhe tatimeve.

Punonjësit profesional, hetuesit dhe kuadri teknik në PSP, vitin e kaluar në këtë periudhë ngelën në rrugë nga PSP-ja ende e paabroguar. Shkonin në punë pa ngrohje, pa telefona dhe pa internet dhe i kërkonin pagat që u takonin sipas ligjit, ndërsa nuk kishte kush t’i nënshkruajë, për arsye se vitin e kaluar në shtator, prokurorja e atëhershme speciale, Katica Janeva ishte në paraburgim.

Prokurori shtetëror, Lubomir Joveski paralajmëronte që nëse nuk gjendet mënyrë t’u paguhen pagat, këta punonjës do të padisin dhe do të fitojnë në gjyq, ndërsa shteti do t’u paguajë dyfish. Me urdhëresë qeveritare në mes të gjendjes së jashtëzakonshme u miratua vendim që t’u paguhet borxhi, mirëpo Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin, me arsyetimin se s’ka të bëjë as me gjendjen e jashtëzakonshme, as me pandeminë për shkak të cilës është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.