Ahmeti: Besojmë se Bullgaria do të gjejë forcë për t’i tejkaluar situatat emotive

Shpërndaje

Sa më shumë presim aq më shumë emocione për çështjet historike, vlerëson kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Ai në një deklaratë për Kanal 5 thotë se beson në zgjidhjen e kontestit midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe pret se Bullgaria do t’i tejkalojë temat e ndjeshme.

“I mbështesim bashkëqytetarët tanë maqedonas në këtë proces shumë të rëndësishëm dhe vlerësoj se pala bullgare do të ketë parasysh se këto procese të rëndësishme. Besojmë se Bullgaria do të gjejë fuqi t’i tejkalojë këto situata emotive, pasi nëse Ballkan futet në histori, do të duhet me të vërtetë të ndërtojmë një Ballkan të ri. Me interes të madh është ne të mos e humbasim hapin për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Ahmeti.