Aleanca për Shqiptarët para Ministrisë së Jashtme – Fetai: Treshja e rrencave Zaev-Osmani-Dimitrov të dorëhiqet

Shpërndaje

Deklarata e plotë për media e Arben Fetait nga Aleanca për Shqiptarët:

Sot, kur qeveria e re – e vjetër SDSM-BDl po feston 100 ditëshin e parë, është mbledhur Këshilli i Përgjithshëm i BE-së, i ministrave për çështje evropiane. Dhe siç e dimë të gjithë, as kësaj radhe nuk do të ketë datë për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Ky është dështimi i shtatë 7 me radhë i qeverive Zaev I dhe II për të fituar datë për hapjen e negociatave për anëtarësim. Po e përsëris: 7 refuzime, përfshirë 4 veto.

Dhe ndonëse këta kanë marrë 7 refuzime me radhë, kjo nuk e ka penguar treshën e rrencave Zaev-Dimitrov-Osmani që të mashtrojnë qytetarët po aq herë, nëse jo më shumë, se vendi ka datë për hapje të negociatave. Të gjithë e kujtojmë atë fotografinë e famshme të qershorit 2018 ku Ministri Osmani bashkë me Zaev dhe Dimitrov festonin në një aeroplan privat marrjen e datës. Madje këta kanë shkuar aq larg në rrenat e tyre saqë në fushatën e fundit zgjedhore, mashtronin publikisht se Maqedonia e Veriut është vend që po negocion për anëtarësim në BE.

Pra, sot është e qartë se këta e kanë zhytur vendin në një krizë të trefishtë nga e cila nuk na nxjerrin dot. Krizës shëndetësore dhe krizës ekonomike, këta i kanë shtuar një krizë të thellë diplomatike dhe të integrimeve evropiane.

Natyrisht, këta si çdo herë do të fajësojnë të tjerët për krizën e trefishtë në të cilën e kanë zhytur vendin. E vërteta është më se e qartë tani. Dhe kjo është se një qeveri thellësisht e korruptuar dhe e cila nuk përfill traktate me një vend anëtar të BE-së, nuk mund të negociojë për anëtarësim në BE e aq më pak të ulet në tavolinat e Brukselit. Përgjegjësia e tyre është shumë qartë.

Vitin e kaluar ky pushtet prodhoi rastin “Zhvatja” dhe falimentimin e PSP-së dhe bashkë me të, falimentimin e vetë shtetit të së drejtës. Kjo gjë rezultoi me një veto franceze dhe rishikim të tërësishëm të politikës së zgjerimit.

Këtë vit, këta shkaktuan veto bullgare për shkak të moszbatimit të Traktatit së miqësisë me Bullgarinë të vitit 2017, të cilin ose nuk kanë ditur ta negociojnë atëherë ose nuk po dinë ta zbatojnë tani. Ose të dyjat bashkë.

Por është e papranueshme që vendi të mbahet peng nga korrupsioni dhe jokompetenca e kësaj qeverie. Andaj, në këtë 100 ditësh, meqë as nuk po dinë as nuk po mundem, treshja e rrencave Zaev-Dimitrov-Osmani duhet të lëshojë rrugë dhe të dorëhiqet për t’i lënë vendin një qeverie teknike e cila do të adresojë krizën e trefishtë shëndetësore, ekonomike dhe diplomatike.

Kjo qeveri e zgjeruar teknike do të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale, si parakusht për krijimin e një qeverie vërtetë reformiste që mund të nxjerr vendin nga kriza e trefishtë dhe të rikthejë perspektivën evropiane.