Bedri Ajdari: “Monstra” po gjykohet si në kohën e Millosheviçit – seanca e sotme në kundërshtim me procedurat

Shpërndaje

Seancën gjyqësore për rastin sot e lëshuan avokati Naser Raufi dhe dy avokatë të tjerë. Ata refuzuan pjesëmarrjen në seancë për shkak të vendimit gjyqësor që të akuzuarin Haki Aziri t`i caktohet avokat sipas detyrës zyrtare, sepse avokati i tij Asmir Alispahiç ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Ky vendim është i papranueshëm edhe për Bedri Ajdarin, familjarin e disa prej të akuzuarve në rastin “Monstra”, i cili ishte prezent sot në seancë.

“Avokatët mbrojtës u munduan që të ketë mbrojtje adekuate dhe ligjore si dhe të përqendrohen në mbrojtjen e ligjshmërisë së seancës. Sipas tyre dhe sipas mendimit tonë ky është një presedan që trupi gjykues vendosi të mbahet seanca pa prezencën e avokatëve që e dijnë lëndën duke sjell një vendim për mbrojtjen e gjashtë të akuzuarve me dy avokat që janë të angazhuar në mënyrë zyrtare nga gjykata. Kjo i ngjanë, pa e ofenduar askënd, një situate që ka ndodhur në ish Jugosllavi kur Sllobodan Millosheviçi me çdo kusht vendosi ta mbajë seancën në Komitetin Qendror të asaj kohë për interesat e veta. Situata e sotme, nuk e di kujt i shërben a është në favor të të akuzuarve, a është në favor të ligjit, këtë nuk e di, do ta shohim më pastaj”, u shpreh Bedri Ajdari në një prononcim për gazetën LAJM.