Erdogan: Jemi të përkushtuar që ta bëjmë Turqinë qendër për investitorët

Shpërndaje

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se qeveria turke është e vendosur ta bëjë vendin një qendër për investitorët vendas dhe ndërkombëtarë duke ofruar rrezik të ulët, besim të lartë dhe fitime të kënaqshme, raporton Anadolu Agency (AA).

“Në periudhën e ardhshme, ne do të përmirësojmë më tej mjedisin e investimeve me reforma shtesë në këtë fushë”, tha presidenti Erdoğan në samitin e Asociacionit Ndërkombëtar të Investitorëve (YASED), i cili u mbajt nëpërmjet video-konferencës.

Ai tha se qeveria ka filluar reforma të reja në ligj, demokraci dhe ekonomi në këtë drejtim, pa përjashtuar askënd.

Duke theksuar rritjen e theksuar ekonomike të arritur në tremujorin e tretë, presidenti Erdoğan tha se kjo është një dëshmi e periudhës së suksesshme të rimëkëmbjes së vendit nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19).

Presidenti shtoi se ekonomia turke po rritet me sukses, ndryshe nga vendet e tjera që po përjetojnë recesion.

Sipas Erdoğan-it, investimet e drejtpërdrejta në shumën prej 220 miliardë dollarësh të bëra në Turqi që nga viti 2002 përfaqësojnë besimin e sipërmarrësve ndërkombëtarë.

“Investitorëve në të gjithë botën u them: Ejani dhe shikoni mikpritjen turke”, tha ai, duke shtuar se Turqia ofron përparësi të konsiderueshme, veçanërisht për investitorët ndërkombëtarë që kërkojnë një alternativë ndaj rrjetit prodhues të bazuar në Azi.