Erdogan: Turqia në shtetrrethim të plotë nga 31 dhjetori deri më 4 janar

Shpërndaje

Në kuadër të masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë të ditur se në vendin e tij gjatë pushimeve të fundvitit do të zbatohet një shtetrrethim i plotë duke filluar nga 31 dhjetori deri më 4 janar, raporton Anadolu Agency (AA).

Përveç masave në fuqi të shëndetit publik, bllokimi i plotë gjatë festës së Vitit të Ri do të fillojë më 31 dhjetor në ora 21:00 dhe do të përfundojë më 4 janar në 05:00.

“Ne kemi filluar të shohim efektet pozitive të kufizimeve dhe masave të tjera”, tha presidenti Erdoğan, duke theksuar se kjo është falë “sakrificës publike”.

Lidhur me efektet ekonomike të pandemisë, Erdoğan tha se ekonomia turke është e gatshme të përballet me prova të vështira, të zhvillohet në skenarë të ndryshëm dhe të përfitojë nga mundësitë e reja.

Ai theksoi se Turqia do të vazhdojë programin e saj të reformës për të përmirësuar klimën e investimeve dhe për të adresuar dyshimet e investitorëve.

Deri më sot, Turqia ka regjistruar 16.646 vdekje nga koronavirusi dhe mbi 1.63 milionë pacientë të shëruar. Që nga shpëthimi i pandemisë, Turqia ka regjistruar mbi 1.86 milionë raste të konfirmuara me COVID-19.

“Retorika e sanksioneve është për keqardhje”

Presidenti turk foli edhe rreth bisedimeve në rritje të sanksioneve nga Bashkimi Evropian (BE) dhe SHBA-të, duke i vlerësuar ato “për keqardhje”.

“Turqia pret që BE-ja të përmbushë premtimet e saj mbi anëtarësimin e plotë, që është vonuar për vite. Ne po ashtu presim mbështetje nga aleati ynë i NATO-s, SHBA, në luftën tonë kundër grupeve dhe elementeve terroriste që kanë përcaktime në rajonin tonë, jo sanksione”, tha presidenti Erdoğan.

Lidhur me fitoren e fundit të Azerbajxhanit ndaj Armenisë, Erdoğan tha se çlirimi i Malësisë së Karabakut nisi një ekokë të re në Kaukaz, me paqe dhe bashkëpunim për të formuar bazën e një ‘statusi quo’ të ri.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike, Azerbajxhanit dhe Armenisë, kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor ndërkombëtarisht i njohur i Azerbajxhanit.

Kur përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator, ushtria armene filloi sulmet ndaj civilëve dhe forcave të Azerbajxhanit, si dhe shkeli disa marrëveshje humanitare të armëpushimit.

Gjatë konfliktit, Azerbajxhani çliroi nga pushtimi armen disa qytete dhe gati 300 vendbanime dhe fshatra.

Më 10 nëntor, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia për t’i dhënë fund luftimeve dhe për t’u angazhuar drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse.

Armëpushimi u konsiderua si një fitore për Azerbajxhanin dhe një humbje për Armeninë, forcat e armatosura të së cilës janë tërhequr në përputhje me marrëveshjen.