Fli biri nënës se ora nuk është një! Letër nga unë: Njeriu që qesh se nuk qan dot!

Shpërndaje

Shkruan: SILVANA BEGAJ

Ora është një dhe biri u zgjua. Dhe në Shqipëri ora ka ngelur një, në atë orë ku bënë mitralozi trak e trak vetëm se djali nuk kishte trakte në gji.

E para i them ngushëllime familjes së djalit dhe nuk ka protestë e dorëheqje që do zbusi sado pak dhimbjen e atyre prindërve, e as fjalët e mia, e as fjalët e askujt dhe as veprat e askujt.

Ai djalë nuk kthehet më. Le të derdhet qielli, e të fryhen lumenjtë, lotët e asaj nëne të mbysin më shumë. Janë lotët e nënës që vrasin e shkatërrojnë më shumë se 100 zjarre, më shumë se reagimi i mijëra njerëzve, më shumë se një pendim e më shumë se një dorëheqje. Nuk mjaftojnë të gjitha këto se ora ka ngelur një. Është ora e mitralozit, ora e diktaturës, ora e dhunës dhe mbi të gjitha ora që na kujton se paska tragjedi pas tragjedie.

Por traktet nuk mbetën në gji sepse Shqipëria reagoi. U ngritën ata që e dinë që Policia e Shtetit nuk ka qënë kurr për mbrojtjen e qytetarit , por për dhunë dhe për gjoba. Policia e shtetit, duke përjashtuar dhe policët e ndershëm që padyshim unë përulem para kapeles së tyre, në përgjithësi janë mbushur me kriminelë dhe një kupolë mafioze. Në këto pozicione zakonisht jemi mësuar të shikojmë militantët më të zjarrtë të partive. Ata që vinë me opinga dhe dalin nga ajo pozitë me pasuri për t´u pasur zili.

Policia gangstere duhet të mbarojë. Policia gjobvënëse duhet të mbarojë. Policia që cënon popullin duhet të mbarojë, policia që përdor dhunë në vend që të mbrojë popullin duhet të mbarojë.

E kjo nuk është një kauzë partiake pasi të dyja partitë më të mëdha në vend kanë vazhduar traditën. Kanë vënë në kupolën e policisë njerëz të inkriminuar. Askush nuk pyet sa ke luftuar krimin, por sa gjoba ke vënë e sa drita ke prerë. E sa të kemi këtë kupolë policie ne do të kemi të njëjtën situatë ku do të vritet një Klodian dhe do të ngelet gjithmonë ora një.

Le ta dijë bota mbarë që qytetarizmi jonë arriti deri aty sa nuk u cënua asnjë pronë private. Rebelimi ishte ndaj organeve drejtuese në emër të varfërisë, në emër të krimit, në emër të drejtësisë, në emër të turpit, dhe në emër të dhunës dhe agresivitetit që lexohet kudo. Në qeveri, në opozitë, në polici , në media e deri tek një nënpunës i shtetit.

Njeriu që qesh se nuk qan dot po ju thotë: Të ndryshojmë akrepat pa qëndrime partiake. Asgjë nuk vlen më shumë se drejtësia dhe një jetë. Kjo luftë është e popullit. Atij populli të ndershëm që ka përjetuar vetëm shtypje dhe tradhëti, që ka përjetuar varfëri të tejskajshme, që ka përjetuar marrjen e cdo të drejte si qënie njerëzore. Kjo luftë është e Jona. Unë me shpirt jam me Ju. Jo me ata që futen për të rënduar situatën dhe as për përfitime personale e partiake. Jam me ata që në emër të Koldianit po luftojnë një fenomen me rrenjë aq të thella sa mbrojtësi bëhet ekzekutues.

E nuk ka asnjë parti, e asnjë politikan, e asnjë pushtetar që të rrëzoi zemërimin e një të ndershmi. E asnjë nga ata nuk do ti dali jeta të kërkojnë falje për Klodianin, për viktimat e 11 janarit e për shumë e shumë të tjerë .

E vërtetë që asgjë nuk do ta ndalojë diellin të lindë përsëri se pas një nate të errët gjithmonë ka një agim, por Klodian nuk bënë më nëna përsëri dhe për atë nënë do të ketë vetëm perëndim.

Fli Klodian, e shumë si ty se ora nuk do jetë më një.Shqiptarët po zgjohen. Ne do lëvizim atë orë të mallkuar në emrat tuaj. Policia e shtetit duhet të rifitoj respektin dhe besimin e shqiptarëve. Punësoni njerëz të shkolluar, të trajnuar e mbi të gjitha të edukuar në pozicione të tilla me aq përgjegjësi ndryshe fenomenet do vazhdojnë.