Gjermani, 101 vjeçarja merr dozën e parë nga Pfizer/ BioNTech

Shpërndaje

Ditën e sotme, personi i parë në Gjermani që mori dozën e parë të vaksinës Pfizer/ BioNTech është Edith Kwitsala, 101 vjeçe, e cila qëndronte në një shtëpi pleqsh në Saksoninë-Anhalt.

Një ditë para fillimit zyrtar të fushatës së vaksinimit jo vetëm në Gjermani, por edhe në pjesën tjetër të Bashkimit Evropian, një total prej 40 banorësh dhe 10 anëtarësh të stafit të fondacionit do të vaksinohen sot.

“Për ne, çdo ditë ka rëndësi”, tha Imo Kramer, kreu i qendrës së vaksinimit të zonës, duke folur për televizionin publik MDR.

Më parë, dhjetëra mijëra doza të vaksinës u janë dorëzuar autoriteteve lokale shëndetësore, të cilët më pas i shpërndanë ato në qendrat lokale. Të parët që do të vaksinohen do të jenë banorët e shtëpive të të moshuarve, të moshuarit mbi 80 vjeç dhe personeli mjekësor.

“Kjo vaksinë është çelësi për tejkalimin e pandemisë. Thjeshtë çelësi për të rikthyer jetën tonë në rrugën e duhur”, tha Ministri i Shëndetësisë Jens Spann në një konferencë shtypi. Në të njëjtën kohë, ai u kërkoi të rinjve që të kishin durim dhe të vazhdonin të ndiqnin masat për të kufizuar përhapjen e sëmundjes.

Për shkak të rritjes së rasteve, në Gjermani është vendosur një karantinë e pjesshme, të paktën deri më 10 janar. Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti Robert Koch, 14,455 raste të reja janë raportuar në 24 orët e fundit dhe 240 njerëz kanë ndërruar jetë. Sidoqoftë, për shkak të festave të Krishtlindjeve, nuk ka të dhëna nga të gjitha shtetet. Numri i të vdekurve është rritur në 29,422 që nga fillimi i pandemisë./ Panorama/