Grenell ‘detyroi’ djalin e Trumpit të shkruante se trupat amerikane do të tërhiqeshin nga Kosova?

Shpërndaje

Një studim mbi rolin e lajmeve të rreme në Ballkanin Perëndimor, i prezantuar në Parlamentin Evropian (PE) thotë se fenomeni i dezinformimit në Kosovë ka pasur implikime të drejtpërdrejta politike që shkaktuan edhe rënien e qeverisë së Albin Kurtit.

Dokumenti shpjegon angazhimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe emërimin e të dërguarit të tij të posaçëm për bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Richard Grenell.

Aty përmendet edhe kërcënimi për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova. Studimi thekson se ambasadori Grenell si duket aranzhoi që senatori David Perude dhe djalin e presidentit amerikan, Donald Trump Jr. të bënin një deklaratë në Twitter që sugjeronte se trupat amerikane do të tërhiqeshin nga Kosova.

“I frustruar nga ajo që ai e pa si pengesë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ambasadori Grenell si duket aranzhoi që senatori David Perude dhe djalin e presidentit amerikan, Donald Trump Jr. të bënin një deklaratë në Twitter që sugjeronte se trupat amerikane do të tërhiqeshin nga Kosova. Ambasadori Grenell vazhdoi ta mbante këtë kërcënim – i cili nuk ishte bërë nga asnjë zyrtar amerikan – në negociatat me partnerët e koalicionit të Kurtit, duke bërë që të ngrihej një mocion mosbesimi që rrëzoi Qeverinë Kurti. Kjo lëvizje gjerësisht është dënuar në Evropë, përfshirë edhe përmes një demarshi të përbashkët të ambasadorëve të Francës dhe Gjermanisë në Prishtinë. Ky shembull tregon se si një aktor i huaj ishte në gjendje të prodhonte një kërcënim krejtësisht të trilluar dhe në këtë mënyrë të shtynte drejt ndryshimit të qeverisë”, thuhet në studim e bërë nga disa autorë evropianë e që u publikua në shqip nga Rel.