Gucati: Ne nuk e kemi pushtuar Serbinë, ne jemi të pafajshëm

Shpërndaje

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati u deklarua i pafajshëm në paraqitjen e parë para gjykatësit të procedurës paraprake, pas konfirmimit të aktakuzës kundër tij.

“Në gjitha pikat që m’u lexuan deri ndjehem i pafajshëm dhe plotësisht i pafajshëm”, tha Gucati të premtën para Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, me seli në Hagë.

“Ne nuk e kemi pushtuar Serbinë, ne jemi të pafajshëm, une kam të drejtën e lirisë dhe shprehjes dhe të drejtën e shprehjes së mendimeve të mia. Është e drejtë e imja që në mënyrë të ligjshme të mbrojë vlerat e kombit shqiptar dhe të UÇK-së dhe do të vazhdojë t’i mbrojë këto vlera deri në fund”, tha ai.

Paraqitja e Gucatit para Dhomave të Specializuara u bë disa orë pasi të premten para kësaj Gjykate u paraqit edhe nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Nicolas Guillou ka konfirmuar aktakuzën ndaj Gucatit dhe Haradinajt më 11 dhjetor.

Në njoftimin e Dhomave të Specializuara më 14 dhjetor, është thënë se aktakuza lidhet me “vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Këto vepra penale dyshohet se janë kryer në periudhën 7-25 shtator 2020./REL