Këshilli i ministrave të OSBE-së po zhvillon mbledhjen e vet të 27 online, nën drejtimin e Shqipërisë

Shpërndaje

Këshilli i ministrave të OSBE-së po zhvillon mbledhjen e vet të 27 online, nën drejtimin e Shqipërisë si kryetare e radhës së kësaj organizate për dy ditë pasi mbylljet nga Pandemia Covid-19 pamundësuan mbajtjen e këtij ministeriali në kryeqytetin shqiptar.

Kryeministri Edi Rama, tha në fjalën e tij si kryetar i radhës se nga janari kur Shqipëria mori kryesimin i Organizatës për Bashkëpunim dhe Sigurinë Europiane ajo ishte në vështirësi, që vazhduan gjatë gjithë këtij viti.

“Ne jemi në krizë, një krizë në përkeqësim. Kjo gjendje është shkaktuar vetëm nga ne, 57 vendet anëtare të OSBE-së” – tha zoti Rama.

Ai foli me shqetësim për një krizë të vazhdueshme bashkëpunimi mes anëtarëve të OSBE-së dhe bëri thirrje për një rikthim të tij nga të gjithë anëtarët, duke u angazhuar me zemër dhe vullnet në këtë organizatë për misionin, që ajo i ka vënë vetes, në të kundërt, OSBE sërish do të jetë në vështirësi për të dalë nga krizat e njëpasnjëshme.

“Vizioni i përbashkët për një Europë demokratike, paqëore dhe të bashkuar po largohet gjithmonë e më shumë prej nesh, sepse parimet tona nuk po respektohen, sepse angazhimet tona nuk zbatohen dhe sepse divergjencat në pikëpamjet tona po rriten” – tha zoti Rama.

AI shtoi se njëanshmëria po zgjidhet tani mbi të përbashkëtën, përplasja po zgjidhet mbi bashkëbisedimin, përçarja përmbi bashkëpunimin dhe kjo është për t’u shqetësuar thellë.

“OSBE nuk mund ta ruajë ndikimin e vet në botë, nëse nuk do të jetë e qëndrueshme dhe e bashkuar përballë sfidave të mëdha si terrorizmi, klima apo të drejtat njerëzore të të gjitha moshave”, – shtoi ai.

Zoti rama theksoi se anëtarët e OSBE-së duhet të lënë pas krahëve përgjithmonë sjelljet e luftës së ftohtë, nëse mendojnë të përballen me sfidën e bashkimit.

Në konferencë u diskutuan edhe vështirësitë e mëdha, që solli pandemia Covid-19, po tema kryesore mbeti se si OSBE të fuqizohet si një mjet për të ndihmuar në zgjidhjen e krizave.